145-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Begaj: Amaneti për fuqizimin e kombit, misioni ynë për integrimin në BE

Presidenti Bajram Begaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një postim në Facebook, teksa ka publikuar foto nga ceremonia, Begaj vlerëson rëndësinë që pati Lidhja e Prizrenit për ndërgjegjësimin kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve.
Begaj thotë se amaneti për fuqizimin e kombit është misioni ynë për integrimin në Bashkimin Europian.
“145 vite nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, përsëri të gjithë bashkë, gjithmonë të gjithë bashkë! Nderojmë me krenari veprën e patriotëve që punuan për kombin shqiptar. Prej tyre trashëgojmë gjuhën, kulturën, miqësi e partnerë strategjikë. Amaneti i tyre për zhvillimin dhe fuqizimin e kombit, misioni ynë për integrimin në familjen euroatlantike”, shkruan Begaj.
Më 10 qershor të vitit 1878 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë.
Asokohe, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Kjo lidhje synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, shpalljen e ndarjes përfundimtare nga sundimi osman, si dhe të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.