E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Bell Arte’ mbajti koncert festiv në Mitrovicë

Shoqata e pianistëve ‘Bell Arte’ në Kosovë, ka organizuar për herë të parë koncert festiv me fituesit e garës ‘Pianisti i Ri 2011’ nga Kosova dhe Shqipëria (EPTA), me ç’rast interpretimet që i përkisnin emrave të mëdhenj të muzikës klasike si Chopen, Moxart etj. kanë rrëmbyer duartrokitjet e të pranishmëve në sallë.

Koncerti u mbajt mbrëmë në Mitrovicë, për nder të 28 Nëntorit, ndërsa u mbështet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e këtij qyteti, si dhe kolegji Victory.

Elena Qehaja, Jora Luzha, Iva Zurbo, Bardha Pallaska, Gjergj Bejko etj, ishin disa nga gjithsej 19 pjesëmarrësit që ka përfshirë moshat prej 9 deri në 16 vjet, të cilët sollën për publikun mitrovicas një performancë tepër të veçantë.

Pianistja e mirënjohur kosovare, Vlora Baruti, njëherësh kryetare e Shoqatës ‘Bell Arte’ në Kosovë, u shpreh të jetë e lumtur që ndodhet në Mitrovicë me këtë koncert, pikërisht në prag të festës së Flamurit.

“Është një shtytje më impulsive për pjesëmarrësit e rinj që janë pjesë e këtij koncerti. Suksesi i pianistëve të viteve të kaluara tregon se është punë e mirë organizimi i një koncerti të tillë”, ka thënë mes tjerash Baruti për Kosovapress, duke shtuar se një koncert i ngjashëm do të mbahet edhe të shtunën mbrëma në Prishtinë.

Ndryshe, përveç artdashësve mitrovicas adhurues të muzikës klasike, në këtë koncert ra në sy edhe prezenca e shumë emrave të njohur të muzikës, si Lejla Haxhiu-Pula, Jordan Misja, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›