E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Të mëdhenjtë’ e sjellin platformën

Kosova ende nuk ka platformë për bisedimet me Serbinë. Por vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, si vizita e sekretari britanik, William Hague dhe ajo që do të pasojë e sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, do të japin platformën e bisedimeve palës kosovare. Ndikimin e ndërkombëtarëve në lidershipin e vendit e pranojnë edhe analistët politikë në vend, ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

Të kontaktuar nga Kosovapress, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se për këtë duhet të pyetni ministrin Enver Hoxhaj. Ndërkohë, ky i fundit nuk ka dashur të flasë për këtë çështje dhe të paktën të sqarojë se a ka ndonjë platformë Kosova apo është duke e përgatitur.

Por, analisti Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) ka thënë për Kosovapress se një platformë do të elaboronte më qartë se çfarë pret Kosova nga këto bisedime, çfarë dëshiron me arrit dhe ku çojnë këto bisedime.

Derisa ende nuk është parë një platformë, Arifaj thotë se do të ishte shumë e padrejtë të mbahej e fshehtë prej opinionit publik në Kosovë, por edhe prej Kuvendit të Kosovës, të cilit duhet t’i raportojë edhe Qeveria, ngase tash këtë e përcakton qartë edhe rezoluta që është miratuar së fundmi për dialogun me Serbinë.

Por analisti Arifaj ka thënë se vizita e sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton do të përcaktojë edhe platformën e këtyre bisedimeve.

“Po supozojmë që nuk ka platformë dhe po supozojmë që lidershipi, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, po pret vizitën e sekretares së shtetit HillaryClinton që të ketë të qartë se cilat janë pritjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe pastaj të finalizojnë çfarëdo përpjekje apo platformën se çka po bisedojnë. Kjo tregon se megjithatë se i tërë procesi i dialogimit mes Kosovës dhe Serbisë është duke u shtytur nga bashkësia ndërkombëtare; nga BE dhe SHBA-të. Edhe ata do të përcaktojnë kornizat dhe, pak a shumë, ndoshta edhe drejtimin se si do të lëvizë ky proces”, ka theksuar Arifaj.

Për më tepër, ai ka thënë se rezoluta për normalizimin e marrëdhnieve mes Kosovës dhe Serbisë, e miratuar në Kuvendin e Kosovës përcakton vijat e kuqe me të cilat nuk duhet të shkohet në bisedime.

Prandaj, sipas Arifajt, platforma do të ishte mirë të elaborojë se çka do të kërkojë Kosova në këto bisedime, pra të paraqes një udhërrëfyes se çka do të bisedohet, si do të bisedohet, çka do të pritet dhe dihet qëllimi përfundimtar.

Madje, Arifaj ka thënë se nëse në Serbi nuk publikohet drafti i platformës, një gjë të tillë duhet të bëjë edhe Kosova, pasi që është interes i Kosovës.

Ndërkaq, politologu Behlul Beqaj ka thënë për Kosovapress se dialogu është një nga veçoritë e politikës dhe gjithsesi do të duhej të zhvillohet dialog me të gjithë, duke përfshirë edhe Serbinë.

Por, analisti Beqaj thotë se ky dialogim ka ardhur nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare dhe atë platformë do t’ia imponojnë Kosovës faktorët si Bashkimi Evropian dhe SHBA-të.

“Dialogimi mjerisht nuk ka qenë produkt i vlerësimeve të brendshme dhe çdo gjë që është bërë pak a shumë realizim i kërkesave që kanë ardhur nga jashtë dhe platforma e Kosovës në fakt ekziston ajo është platforma që ia imponojnë faktorët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja. Por, unë mendoj se ndoshta do të jetë një pikënisje e mirë, por gjithsesi nuk reflekton në tërësinë e vetë interesin e përgjithshëm të Kosovës”, ka deklaruar Beqaj.

Madje, ai për të qenë edhe më i prerë, këtë e ka lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë.

“Vizitat e paralajmëruara vetëm janë dëshmi shtesë që flasin për platformën e bashkësisë ndërkombëtare që ka në procesin e dialogimit dhe jo platformën që e kanë kosovarët apo që do ta krijojnë”, ka thënë analisti Beqaj.

Për më tepër, ai ka shtuar se problemi i këtij dialogu qëndron në faktin se ka nisur mbrapshtë, po zhvillohet pa platformë dhe nuk mund të ketë përfundimin e mbarë.

“Ne duhet të jemi për mbështetjen e procesit të dialogimit, por gjithsesi duhet të kemi të qartë çfarë kërkojmë ne, çfarë kërkon pala tjetër”, ka thënë ai.

Vizita e sekretares amerikane Hillary Clinton do të ndodhë me 31 dhjetor, por atë do ta shoqëroj edhe Baronesha Catherine Ashton. Sekretarja Clinton ishte e ftuar edhe në samitin e gruas me 4 tetor, por për shkak të agjendës në fushatën elektorale ajo ka munguar në këtë samit, ndërkohë tash ajo ka paraparë të vizitoj Kosovën. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›