Basha-Osmani: Rritje e bashkëpunimit Tiranë-Gostivar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka pritur në një takim Kryetarin e Komunës së Gostivarit, Rufi Osmanin ndërsa e njohur atë me prioritetet e tij, të cilat lidhen me zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe bërja e Tiranës, një qytet tërheqës për investitorët ka dhënë rezultatet e saj.
Kryebashkiaku Basha theksoi se Tirana shumë shpejt do të ketë Planin e Përgjithshëm Rregullues, i cili është plani transparent i zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të Tiranës.
“ Ky plan është konsultuar me të gjithë banorët e interesuar në takime publike, në 11 njësitë bashkiake dhe aktualisht grupi i punës po reflekton në të sugjerimet e banorëve, të ardhura nëpërmjet konsultimeve direkte, e-mailit, ëebit zyrtar të hapur enkas për planin etj” tha Basha. Ai ritheksoi angazhimin e tij, për t`u ofruar qytetarëve të Tiranës të gjithë format dhe mënyrat, në mënyrë që ata të bëhen pjesë e vendimarrjes për projektet me impakt në jetën e tyre.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Basha dhe ai I komunës së Gostivarit Osmani kanë diskutuar për vendosjen e një bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Gostivarit, duke u fokusuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.
Në këtë takim është rënë dakort për shkëmbimin e ekspertëve dhe eksperiencave në fushën e legalizimit, urbanistikës, autonomisë vendore, veçanërisht në aspektin financiar, angazhimin e sektorit privat për arritjen e objektivave të pushtetit vendor etj.