E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘West Side Story’ rikthehet në Hollywood

50 vjet pasi versioni origjinal i filmit ikonik “West Side Story” ka pasur premierën, protagonistët u përjetësuan në Hollywood me yjet e Rita Moreno, George Chakiris dhe Russ Tamblyn.

Gjurmët e tyre tanimë gjenden në oborrin e “Grauman Chinese Theater”, pikërisht aty ku filmi u shfaq për herë të parë në vitin 1961.

Emocione të jashtëzakonshme kanë provuar të pranishmit në këtë ceremoni, e cila bëri bashkë tre yjet e produksionit ikonik me legjenda të kinematografisë botërore. Aty janë kujtuar edhe protagonistët që janë shuar.

Bashkëprotagonistja në këtë film, Natalie Wood tanimë është vetëm në memorien e miqve të saj. Ajo është shuar në vitin 1981 në Kaliforni pas një aksidenti tragjik.

Russ Tamblyn në këtë moment nderimi për yjet e “West Side Story” kujton aktoren Wood dhe rrëfen:

“Ajo që po mendoj më shumë këtë mbrëmje është fakti se sa shumë do e kishte shijuar Natalie këtë moment, njësoj siç edhe unë po e shijoj, njësoj siç po e shijojmë të gjithë ne”.

Filmi “West Side Story” i bazuar në muzikalin e Broadway-t të vitit 1957 i Arthur Laurents dhe Leonard Bernstein pati premierën më 18 tetor 1961. Ai ka fituar 10 çmime Oscar, përfshirë edhe trofeun për fotografinë më të mirë dhe çmimet për aktorët dytësorë të interpretuar nga Chakiris dhe Moreno.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›