’Langojt’ pritet mirë nga publiku mitrovicas
‘Langojt’, që inspirohet nga jeta e përqeshjeve të dukurive negative, si dhe loja mahnitëse e aktorëve që ndjekte ritmin dhe kontraritmin interpretativ, bënte të vështirë të dalloheshin disonancat, ndërsa kanë mrekulluar publikun përplot në sallë, i cili me duartrokitje të gjata i ka përshëndetur në fund.
"Jam shumë i kënaqur me aktorët dhe absolutisht kanë arritur atë që unë kam dashur” ka thënë për Kosovapress pas shfaqjes regjisori Fatos Berisha, duke shtuar se me këtë shfaqje do të shkohet edhe në qendra tjera të Kosovës.
Rreth interesimit të publikut mitrovicas për shfaqjen, aktori i mirënjohur Blerim Peci, theksoi se Mitrovica jo gjithmonë ka lajme të qeta dhe jo gjithëherë ndodhë diçka që të ndjell interesimin për të shikuar shfaqje.
Andaj, shtoi ai, mbushja e sallës tej kapacitetit të teatrit dhe sidomos entuziazmi, tregoi që arti dhe dashuria për teatrin triumfon mbi vështirësitë, sepse arti çon përpara shpirtin e njeriut, e mbush atë dhe krijon një apoteozë festive si kjo sonte.
Edhe aktori Besar Zahiti u shpreh për Kosovapress i entuziazmuar me atmosferën e krijuar, duke thënë se diçka e tillë ka qenë e pritshme, ngase njerëzit në përgjithësi janë të prirë për ta pëlqyer komedinë.
Ndërkaq, Mirsad Ferati, drejtor i Teatrit Profesionist të Mitrovicës, ka thënë për Kosovapress se duartrokitjet dhe pritja e jashtëzakonshme e publikut, përfaqësojnë një moment të rëndësishëm jo vetëm për aktorët e kësaj shfaqjeje, por përgjithësisht edhe për teatrin profesionist mitrovicas, i cili vetëm përmes paraqitjeve të tilla mund të bëhet pjesë e natyrshme e trendeve dhe e standardeve artistike ndërkombëtare.