“50 Nuancat e Hirit” thyen rekorde

Një bum i vërtetë i shitjeve në libraritë e Tiranës ka shënuar libri i britanikes E. L. James "50 Nuancat e Hirit”. Ndryshe, “50 Nuancat e Hirit" është botuar në Britaninë e Madhe, në vitin 2011, dhe është libri i parë i trilogjisë "50 Nuancat".
Sipas të dhënave të librarive dhe botuesit, që nga 8 gushti - kur libri doli në shitje – mesatarisht janë shitur nga 10 libra në ditë, në çdo librari të Tianës, ndërkohë që lexuesit kanë filluar të interesohen edhe për dy vëllimet e tjera.
Libri flet për aventurat seksuale të një studenteje të re me një biznesmen të suksesshëm e misterioz.
Ndërkohë, këtë javë janë botuar edhe disa tituj të rinj, si katër botimet e mësuesit shpirtëror indian, guru Osho, që është pseudonim i Chandra Mohan Jain - një profesor ky i filozofisë që para viteve të 90’ta u kthye në predikues, dhe në një kundërshtues të hapur të pikëpamjeve të Gandit.
Katër librat e tij, të përkthyer në shqip, i dedikohen familjes, jetës dhe dashurisë.