“Adem Jashari” nga Amerika

Tematika e ligjëratës së profesorit Salihu ndërlidhej me vetëdijen dhe rrjedhën jetësore karshi ambientit që na rrethon, dhe asaj që synojmë të jemi. Ligjëruesi krijoi kështu një platformë akademike, duke nxjerr në pah rëndësinë që një teatër ose kulturë teatrore ka në relacion me qytetarinë.
E, në mbrëmje, u shfaq monodrama mysafire nga Amerika, “Unë Jam Adem Jashari”, e interpretuar nga Pajazit Murtishit, me regji të Xhevat Limanit, sipas tekstit të Lebit Murtishit. Muzika ishte e Jeton Murtishit, ndërsa koreografia e Artan Laçkës.
Drama provokoi audiencën, për faktin se përçoi emocione, përjetime e retrospektiva të hidhura, por edhe përshkoi krisma, dhunime, rrënime e djegie, deri në fitoren përfundimtare. Përveç bartësit të veprimit, në shfaqje ndërthurej edhe vetë familja e këtij kolosi historik shqiptar.
Natyra e rolit, skenografisë, njëlloj i patetizmit, dhe e vetë figurës së portretizuar dolën të jenë epike, njësoj sikundër që edhe vetë emri i kryeprotagonistit të shfaqjes gradualisht po shndërrohet jo vetëm në ikonë historike, por edhe në një ikonë skenike.
Natyrisht se figurat e tilla shpesh rrezikojnë të prezantohen në mënyrë qesharake në skenë, për shkak se historia e një figure me kaq peshë i nxjerrë në lëndinë edhe ambiciet e secilit që synon t’i luajë apo inskenojë ato. Megjithëse, edhe vetë përpjekja për t’i bërë këto shtresime artistike zakonisht nominohet si pozitive. Me sa duket, edhe publiku ferizajas e pati po këtë përshtypje.
Përndryshe, shfaqja fillimisht u punua në një teatër shqiptar në Amerikë, dhe premiera e saj u shfaq më 11 shtator, në Chicago. Jo rastësisht, sepse kjo datë e premierës, në fakt, ndërlidhej simbolikisht me tragjedinë e Kullave Binjake në Amerikë. Shfaqja ndërkohë rrugëtoi për në Maqedoni, para se të përfundonte në Festivalin e Ferizajt.
Pak para fundit
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ronit Abdullahu, u përkujdes për të gjitha detajet teknike të festivalit. Ai, në bashkërendim me drejtorin e teatrit, mes tjerash, krijoi akomodim për mysafirët dhe për shfaqjet mysafire.
Festivalit ndërkohë po i afrohet fundit, sepse të enjten do të ulet perdja e rrugëtimit të tij të 42’të në Ferizaj. Mirëpo, është një detaj që gati gjithmonë mbetet karakteristikë e këtij festivali; është ky publiku i veçantë ferizajas. Të gjitha shfaqjet jepen para një salle përplot me adhurues të teatrit. Megjithëse, shikuar nga aspekti debatues, duket sikur dy termine ditore, të parapara për programet përcjellëse dhe shfaqjet tjera pjesëmarrëse, nuk janë një zgjedhje fort e qëlluar. Po qe se, tash e tutje, në Ferizaj do të shtatë ditë feste teatrore, mbase do të mjaftonte vetëm një shfaqje (ligjëratë, program) brenda ditës. Një orar i tillë sigurisht që do ta ndihmonte edhe debatin, sepse kur ke një shfaqje të mirë dhe një tjetër ‘më diskutabile’, rezulton e pamundur që ta balancosh edhe debatin.