“Aktori në kuti” hap festivalin
Që nga dita e diele qyteti i Pejës dhe Teatri “Istref Begolli” janë pushtuar nga artdashës, mysafirë, aktorë e regjisorë nga vende të ndryshme të botës, si pjesë e edicionit të tretë të Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë -MonoAKT.
Nata e 17 prillit nisi festivalin me monodramën mysafire “Aktori në kuti”, të regjisorit Mentor Zymberaj, ndërkohë që festivalin e shpalli të hapur drejtori i Departamentit të Kulturës në komunën e Pejës, Aver Hysaj.
Sipas Hysajt, Peja ka një kulturë të lashtë teatrore, fillimisht si teatër amator, i cili pastaj, falë punës, u shndërrua në teatër profesional.
“Na vjen mirë që Peja do të frymojë këto ditë me këtë teatër”, nënvizoi ai derisa po e shpallte të hapur festivalin.
Ndryshe, në ditën e parë të festivalit, gjegjësisht në orët e mesditës, u dha monodrama sllovake “Wellness”, lojën e së cilës e bëri aktori Kamil Bistrycki.
Bistrycki pohoi se ndihej mirë në teatrin e Pejës, derisa nuk la pa folur edhe për këtë gjini të artit skenik, e cila, sipas tij, nuk është fare e vështirë, edhe pse për ta luajtur “gjithsesi duhet të dish të komunikosh me skenografinë. Por, vështirësitë kalohen, sapo njeriu fillon të mendoj se edhe në jetën e përditshme është krejt vetëm”.
“’Wellness’ është shfaqje për njeriun. Ajo është një shembull që shfaq ankthin me të cilin shoqërohet çdo njeri”, u shpreh Bistrycki lidhur me konceptin e shfaqjes.
Kjo monodramë karakterizohet publikut me lojën e dritave dhe muzikën e cila e shoqëron atë pothuajse gjatë tërë kohës, duke e rrëmbyer kështu vëmendjen e publikut. Loja e aktorit karakterizohet me pamjet e krijuara, e jo me ngjarjen e monodramës.
“Ka shumë pamje, por ne nuk punojmë me ngjarje, ngase ngjarja fillon dhe përfundon me disa pamje, në mesin e të cilave ka shumë ngjashmëri”, thotë Bistrycki.
Një frigorifer, që në skenë qëndron gjatë gjithë kohës; në një kuti akulli, që paraqet njeriun i cili brenda ka një të kaluar dhe që për çdo ditë ndeshet me të kaluarën janë tërë skenografia. Ndërkaq, gjithë loja dhe lëvizjet e aktorit portretizohen përmes lëvizjeve që njeriu i përdorë për çdo ditë.
“Mesazhi i shfaqjes nuk mund të kuptohet menjëherë. Dhe, kjo monodramë kuptohet pasi që fillosh të mendosh për të. Ne nuk punojmë për ndonjë mesazh, por punojmë për ndjenjat e publikut”, përfundo aktori Bistrycki.
E në orët e mbrëmjes, gjegjësisht në terminin e orës 19:30, u shfaq premiera e monodramës kosovare “Laokonti”, me lojën e aktorit Selman Lokaj. Autor i “Laokontit” është Ismail Kadare, ndërkohë që regjinë dhe dramatizimin e kësaj vepre e ka bërë Sokol Plakolli.
“Laokonti” trajton një temë të njohur për audiencën, megjithëse ko ishte hera e parë që vepra u dramatizuar tek ne, në formë monodrame.
“Laokonti” paraqet Kalin e Trojës, një tradhtar ky i brendshëm që e përcjellë kombin nga kohërat e hershme antike, megjithëse ai tani është shfaqur në ditët tona. Laokonti, i cili e deshifroi tradhtinë e kalit para se ajo të ndodhte, e thyen mermerin dhe del nga bazamenti, me qëllim që të tregojë të vërtetën e madhe, në mënyrë që pasardhësit e tij të mos e pësojnë si Troja dikur. E vërteta e thyen gurin, ajo mundë edhe kohën...
Sot (e martë) MonoAKTI udhëton drejt qytetit të Vushtrrisë, ku do të jepet monodrama “Hashameti”, nga Maqedonia. Në shfaqje luan aktori Burhan Amiti. Ndërkaq, në orët e padites, gjegjësisht në orën 16, në Tetarin Dodona, në Prishtinë jepet shfaqja “Monostripi”. Është kjo pjesa e ndarë për studentët e Fakultetit të Arteve, gjegjësisht për aktorët e rinj, të cilët do të bëjnë mono-performanca pesë-minutëshe. Kurse, duke filluar nga ora 19:30, do të jepet monodrama “Mos harroni”, me aktrim të Ismet Azemit.