Tri premierat e Dodonës
Brenda disa ditësh në ambientet e Teatrit Dodona, në Prishtinë, do të shfaqen tri premiera, komedia “Çifti i Hapur”, e Dario Fo, monodrama “Laokonti”, e Ismail Kadare, dhe drama “Parfurmeria”, e Haqif Mulliqit.
Drejtori i Teatrit Dodona, Agim Selimi, i tha gazetës Express se, komedia “Çifti i Hapur”, me regji të Kushtrim Koliqit dhe me aktorët Besart Sllamniku dhe Edona Reshitaj, do të inskenohet më 25 prill.
Ndryshe, “Çifiti i Hapur” është një nga veprat brilante të Dario Fo’s, dhe konsiderohet njëra prej komedive më të mira në rangun botëror të kohës. Dario Fo, fitues i Çmimit Nobel për Kulturë, është një autor i njohur, sidomos për lojën e tij të jashtëzakonshme aktoriale-komike, si aktor.
Megjithëse edhe si dramaturg është i shkëlqyer, falë mizanskenave që i krijon me një humor të hollë dhe me ngjarjet e zgjedhura, të cilat shpeshherë ndërlidhen edhe shoqërinë e sotme. Sipas kritikëve, Fo’s nuk i përket vetëm shoqërisë italiane “së cilës edhe i takon, por edhe mbarë shoqërisë së sotme”.
Paralelisht, në monodramen “Laokonti”, me regji të Sokol Plakollit, do të interpretojë veterani i skenës, Selman Lokaj, dhe kjo shfaqje e realizuar nga Teatri Dodona do të hap edhe Festivalin e Monodramës në Teatrin e Pejës.
E, krahas këtyre dy premierave, më 27 prill do të shfaqet edhe “Parfurmeria”, e Haqif Mulliqit, me regji të Elmaze Nurës.
Drejtori Selimi pohon se në Dodonë do të ketë edhe shfaqje të tjera, të cilat tashmë ndodhen në fazën e përgatitjeve për inskenim.