“Ballkan Bazar”, reflektim përmes dashurisë
Filmi ka në linjën e tij një ngjarje reale, skandalin e shitjes së eshtrave në Kosinë të Përmetit në vitin 2006. Megjithatë, mbi këtë histori regjisori ka ditur të ndërtojë diçka më shumë.
Përmes ironizimit të ngjarjeve, mendësive, personazheve dhe situatave kërkohet të përçohet ideja e talljes së nacionalizmave, duke mos i mëshuar një identiteti të caktuar, por duke e kthyer në një fenomen ballkanas.
Ngjarja merr fill me dy personazhe të huaja. Francezja Joli (interpretuar nga aktorja franceze Catherine Wilkening) së bashku me vajzën e saj italo-franceze Orsola (interpretuar nga aktorja italiane Veronica Gentili) nisen në kërkim të eshtrave të gjyshit dhe babait të tyre, i cili kishte qenë një veteran francez i varrosur në Itali.
Arkivoli së bashku me to përfundon në Shqipëri, ku ato zbulojnë fshatin jugor ku shiten dhe blihen eshtrat. Filmi (91 minuta i gjatë) është xhiruar në pjesën më të madhe të tij në fshatin Labovë të Kryqit, ndërsa sjell personazhe tipike si ai i gazetarit (Visar Vishka) që ndjek skandalin, i priftit që interpretohet nga vetë Budina, por edhe banorët e fshatit.
Secili tund flamurin e vet; politik, moral, ideologjik… Personazhe francezë, italianë, shqiptarë, shqiptarë që jetojnë në Greqi, maqedonas. Ata krijojnë një univers mendësish që përplasen, zbulojnë dhe mbeten në kërkim të asaj që është njerëzore. Personazhet e huaj janë katapultuar në një realitet të panjohur për ta dhe kjo i ka bërë të besueshëm. Një histori e pabesueshme, një histori kockash të zhvarrosura dhe një histori shitblerjesh për t’i paraqitur këta eshtra si ushtarë grekë.
Edhe pse konflikti kryesor është “ballkanas”, në fakt çfarë trajtohet është më universale. Konflikte mes “kombësive”, përçmime, qoftë edhe të vogla, ekzistojnë edhe mes popujve të tjerë. Kështu, edhe francezët i shohin me një lloj përçmimi italianët. Është një batutë kur francezja thotë: “Eeee italianët, dihet si janë ata”. “Doja t’i jepja një frymëmarrje më të gjerë, pasi këto fenomene nuk ndodhin vetëm në Ballkan. Por, nga ana tjetër, edhe për një publik të huaj, i cili në një mënyrë apo në një tjetër do të gjejë veten”, komenton Budima.
Ky dimension mund të thuhet se nuk i mungon filmit të Budinës. Episodet e ëndrrës, kur personazhet zbulojnë dëshirat dhe instinktet e tyre më të thella, janë nga më spontanët dhe të vërtetët në film. Kështu, për shembull prifti zbulon dëshirat e veta seksuale, ndërsa ëndërron i dehur apo ndërsa këndon “harrohet” dhe fillon e ia merr këngës për priftin dhe hoxhën në shqip. Po kështu vjen interesant edhe personazhi i kameramanit (Erand Sojli), i fshatarit që ndihmon në hapjen e varreve, gruas së priftit, etj.
Aktorë: Catherine Wilkening, Veronica Gentili, Luca Lionello, Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami,, etj…
Regjia dhe skenari: Edmond Budima