“Beselam pse më flijojnë”, në Gjilan

Në mbrëmjen e dytë të festivalit të dramës “Talia e Flakës”, Teatri Kombëtar i Kosovës është paraqitur me shfaqjen “Beselam, pse më flijojnë”, të autorit Rexhep Qosja, e me regji të Fatos Berishës, ku janë paraqitur aktorët Çun Lajçi, Bislim Muçaj, Shkumbin Istrefi, Luan Jaha, Hazir Miftari, Sheqerije Buçaj, Anisa Ismajli, Veton Osmani, Eshref Durmishi, Armend Ismajli, Ramadan Malaj, Rozi Kryeziu, sikurse edhe Kori Newborn, “Babuka and Drum Collective”, Patris Berisha, Sinan Kajtazi, Luljeta Ademi, Gojart Kçiku e Agim Sylejmani.
“Beselam pse më flijojnë” është njëra ndër kryeveprat e dramaturgjisë sonë kombëtare, e vënë në skenë nga shumë teatro tona e regjisori Fatos Berisha kësaj radhe atë e ka shndërruar në spektakël të madh, siç u tha nga njohës të artit skenik.
Në debatin pas shfaqjes janë dhënë vlerësime për regjisorin, por edhe për aktorët në skenë. Arian Krasniqi, dramaturg, ka thënë se ndonëse teksti i përket një të kaluare të largët dhe pavarësisht se i përket një teme mitologjike, ai është i qëndrueshëm edhe sot e regjisori ka gjetur çelësin e suksesit për ta shndërruar atë në spektakël dhe është pikërisht meritë e regjisorit që atë e sjellë në këtë formë të spektaklit, dhe është shfaqje që i bënë nder teatrit kombëtar.
Nijazi Ramadani, krijues, ka thënë t’i ketë pëlqyer ky variant si dhe qasja regjisoriale, sikurse edhe dialogët e ndërtuara dhe skenat masive. Sipas Ramadanit, shfaqja ka komunikuar me publikun, derisa Zijadin Murtezi, artist nga Shkupi, shfaqjen e ka quajtur spektakël të mrekullueshëm, ku gjithçka frymonte dhe ka përgëzuar regjisorin që ka bërë një adaptim të ri.
Margarita Xhepa, aktore nga Shqipëria, punën e regjisorit e cilësoi të shkëlqyer, sikurse edhe interpretimin e aktorëve, duke theksuar se Teatri Kombëtar ka fond të shkëlqyeshëm të aktorëve dhe me freski mjeshtërore, derisa sipas aktores tjetër, doajene e skenës, Tinka Kurti, shfaqja pati një dirigjent me një shkop që nuk stonoi.
Milto Kutali, dramaturg nga Shqipëria, ka thënë se regjisori ka ditur të zgjedh aktorët dhe të gjithë funksionuan jashtëzakonisht mirë. Sipas tij, regjisori ka kapur një këndvështrim interesant e shumë mjeshtëror e dramaturgu kosovar, Nebi Islami, ndërkaq, ka shtuar se ky ishte një sublimacion jashtëzakonisht efektiv, çdo gjë funksionoi si duhet.
Në kuadër të ligjëratave, që po mbahen pikërisht në mesditë, është paraqitur Mehmet Kraja, dramaturg.