Mitrovica, gati
Janë bërë të gjitha përgatitjet për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës. Gani Mikullovci, zyrtar i lartë komunal i zgjedhjeve, ka thënë se në listën e votuesve janë gjithsej 86 834 votues, nga të cilët 71 580 shqiptarë dhe 15 254 serbë. Sipas tij, të gjitha përgatitjet e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve janë bërë dhe nuk ka pasur ndonjë problem.
Të dielën do të hapen 31 qendra të votimit, me 104 vendvotime, në kuadër të rivotimit për zgjedhjet të 12 dhjetorit, pasi që KQZ ka vendosur për përsëritje të votimit për shkak të parregullsive të shënuara në ditën e votimit.
Në pjesën veriore të Mitrovicës do të hapen katër qendra të votimit, me gjashtë vendvotime - në Lagjen e Boshnjakëve, në Kodrën e Minatorëve, në Vidimriq dhe Gushavc. Në lagjet veriore, ku jetojnë serbët, zgjedhjet do t’i organizojnë me ekipe mobile IFES’i. Nga partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje janë dërguar 728 anëtarë për këshillat e vendvotimeve dhe ata kanë të drejtë të dërgojnë edhe nga dy vëzhgues për secilin vendvotim.
Ndërkohë, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme në mënyrë që procesi i rivotimit të kalojë pa problem. Zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë dashur të prononcohen në lidhje me këtë çështje.
“Policia e Kosovës ka hartuar të gjitha planet e nevojshme për menaxhimin e sigurisë. Për menaxhimin e sigurisë për këtë proces zgjedhor janë angazhuar rreth 500 zyrtarë policorë, të cilët do të ofrojnë sigurinë e 31 qendrave të votimit në tërë komunën e Mitrovicës. Në këtë numër të zyrtarëve policorë hyjnë të gjithë zyrtarët policorë që do të punojnë në dy ndërrime, ndërrimi i paradites dhe ndërrimi i pasdites”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Brahim Sadriu.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës presin që procesi zgjedhor të rrjedhë i qetë dhe pa probleme, por sipas tyre, për çfarëdo incidenti eventual pjesëtarët e policisë janë të gatshëm që të intervenojnë dhe mund të kërkohet ndihmë edhe nga KFOR’i.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë do të ndjekë nga afër procesin e rivotimit me rreth 40 ekipe.
Disa prej ekipeve të vëzhgimit do të vendosen në mënyrë statike, që do të thotë se gjatë tërë ditës do të qëndrojnë vetëm në një qendër votimi, ndërsa të tjerët do të jenë ekipe mobile, që do të vizitojnë një numër vendvotimesh gjatë tërë ditës.
Ndërkaq, koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim do të monitorojë procesin me rreth 130 vëzhgues statikë dhe 20 vëzhgues mobilë.