“Bombë në Beograd” shkon në ribotim
Në një prononcim ekskluziv për “Express” këtë e konfirmon autori i romanit Albatros Rexhaj.
“Sapo bisedova me botuesen time Arlinda Hovi Dudaj, nga shtëpia botuese DUDAJ, se romani “Bombë në Beograd” në fund të javës shkon në ribotim. Dëshiroj të falënderoj të gjithë lexuesit e mi të cilët me interesimin e tyre e kanë bërë këtë të mundshme. Posaçërisht dua ta falënderoj redaktorin tim të nderuar Sejdin Cekani, redaktor i mbi 300 librave, për durimin, përkushtimin dhe mbi të gjitha ngrohtësinë njerëzore që e ka treguar gjatë punës së tij të palodhshme me mua. Me angazhimin e tij, në radhë të parë vëllazëror, ai e ka ruajtur tërësisht autorësinë time, veçantinë time të të shprehurit, dhe në variantin final e kemi nxjerrë një vepër në një shqipe të rrjedhshme dhe të pastër. Gjithsesi ai e ka bërë vetëm punën e tij, siç bënë me shumë përkushtim edhe me librat e tjerë, por e kam përshtypjen se në veprën time e ka dhënë edhe një pjesë të shpirtit të tij. E them sinqerisht, publikisht para të gjithë botës shqiptare, se në zemrën time nuk mund ta dalloj nga anëtarët e familjes sime”.
Romani “Bombë në Beograd” është roman i zhanrit triller, i shkruar në stilin e prozës filmike. Ngjarja zhvillohet në verën e vitit 1998. Dorëshkrimi i parë i këtij romani është shkruar në vjeshtën e vitit 1998. Në panairin e fundit të librit në Prishtinë, për vetëm dy ditë të prezencës në panair, është ranguar në vendin e tretë.
Romani e tregon në mënyrë koncize pastërtinë e luftës, moralin dhe kodin e ushtarëve të lirisë. Zbërthimi niset prej këndit se përkundër sfidës dhe tundimeve të brendshme, emocione këto krejtësisht njerëzore, luftëtarët e lirisë e kanë zgjedhur etikën ushtarake si udhë rrëfim për ballafaqim me armikun. Gjatë zhvillimit të ngjarjes zbulohet kjo etikë dhe atë nëpërmjet mikro detajeve krejtësisht personale të personazheve. Në këtë shihet ana humane e personazheve. Gjithsesi romani e kërkon një lexim të plotë në mënyrë që të zbërthehet i tërë kompleksiteti i rrëfimit.