E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Frigoriferi” hap teatrin ferizajas

Mund të tingëllojë ftohtë, por shfaqja “Frigoriferi”, e autorit Naser Shatrolli, do të jetë ajo që, të enjten - kur edhe nis punën Teatri i Ferizajt - do të ngrohë publikun artdashës të këtij qyteti. Regjinë e shfaqjes, që luhet nga Dardana Mehmeti dhe Nexhat Gjokli, e ka bërë Fatmir Hyseni. Skenari është i Mentor Berishës, e muzika e Drinor Zymberit.

Gjatë luftës së vitit 1999, derisa NATO’ja po bombardonte caqet dhe makinerinë ushtarake e policore serbe, dy heronjtë e kësaj drame njerëzore, Atdheu dhe Liria, ndodhen në një frigorifer me rrota. Mundohen ta sfidojnë atë ambient, duke e tallur njëri-tjetrin, sa për të fshehur frikën nga ajo që po ndodhë jashtë frigoriferit. Liria u është dhunuar, dhe djegur shpirtërisht, ndërkohë që një prej fajtorëve që Liria u soll në këtë gjendje ishte vetë Atdheu. Përkundër kësaj, ata dy - si dy qenie njerëzore – mbesin brenda frigoriferit, një simbolikë kjo e një varri masiv, një burgu apo e një konserve të njëmendët.

Në fakt, as Atdheu, e as Liria nuk do të kishin kuptim pa njeriun - në kontekst filozofik. Njeriu i Kosovës ishte konservë e një fatkeqësie tragjike dhe e një sistemi poaq tragjik, karshi fatkeqësive që i shkaktojnë heronjtë e së keqes (Milosevici). Pra, dy protagonistët e dramës janë njëlloj mesazhi i gjallë për botën njerëzore.

Drama synon të prolongojë idenë e konservës, sipas së cilës njeriu dita-ditës dhe me vetëdije po bëhet artificial (konservë). Shpirti i tij mbahet në frigorifer, ndërsa ndjenja e tij e ftohtë, emocioni, ndjenja për jetën është paketim artificial. Frika se njeriut do t´i skadojë afati, hulumtohet brenda idesë, se është ndjenja ndaj familjes ajo që po humbet dita-ditës.

Të dy heronjtë, në fund, “pajtohen” me frigoriferin (paketimin), por jo dhe me dhunimin.

Ndryshe, vetë realizimi i shfaqjes mund të thuhet se do të jetë një risi për teatrin vendor, fal mënyrë sesi është bërë skenari, regjistra, dhe muzika, të cilat përbëjnë një kolazh përmbajtjesor të saj. Pa ahuraru klltu edhe personelin teknik, që duket se punoi mjaft përkushtim.

“Po bëjmë provën gjenerale, dhe shfaqjen e po e shtrojmë nëpër të gjitha hallkat e saj skenike. Shpresojmë që ajo të reflektojë punën tonë zinxhirore”, thotë regjisori i saj, Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit të Ferizajt, i cili është i kënaqur me punën e aktorëve, autorit, skenografit, dhe të kompozitorit të dramës.

Derisa po përcillte provën gjenerale të “Frigoriferit”, optimist u shfaq edhe autori i dramës, Naser Shatrolli.

“Po ndjej një lehtësim në vete. Mbase dhe një komoditet, sepse ekipi duket se po funksionon mirë. Madje, më duket se edhe vetë rrjedha e shfaqjes, përfshirë aktrimin, ka kapur thelbin e idesë. Ndonëse, dhe hallkat e tjera janë mishëruar shkëlqyeshëm brenda produktit final. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, shprehet ai.

Skenografi Mentor Berisha, ndërkaq, pohon se është plotësuar mirë me autorit dhe me regjisorin e shfaqjes. E gjithë kjo ndikoi që edhe kompozitori, Drinor Zymberi, të ndjehej komod brenda kësaj garniture artistësh.

Natyrisht, aktorët ende mbesin nën ethet e shfaqjes. Ata fjalën e tyre mund ta thonë vetëm pas premierës, që jepet sonte, në Ferizaj.

Shfaqja “Frigoriferi” ishte pjesëmarrëse në konkursin e sivjetmë Katarina Josipi, të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›