E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitou: Zgjedhjet e parakohshme nuk duhen kundërshtuar

Për Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradi kur të hyjnë në dialogun e ri të ndihen rehat.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, ka thënë në një bisedë për “Kohën Ditore” se BE-ja do të mbështetë cilindo zhvillim që do të çonte kah ngritja e vetëbesimit të palës kosovare para dialogut me Serbinë.

“Unë e di që ka shumë zëra dhe shumë kritika, shumë skenarë, por unë shpresoj që largimi i ICO-s i ka dhënë besim skenës politike në Kosovë. Besoj që kjo politikë të ketë vetëbesim që të marrë qëndrime, të vendosin linjat e kuqe dhe të flasin për veten”, ka thënë Fitou.

Ambasadori ka thënë se partitë politike duhet të jenë pjesë e diskutimeve edhe nëse kundërshtojnë dialogun.

“Unë shpresoj që ka një përpjekje për bashkërendim. Ka shumë zëra që flasin për një ekip uniteti, dikush tjetër për një koalicion të ri. Unë mendoj se këtu po flitet për arritjen e vetëbesimit para një procesi të tillë, dhe shpresoj që partitë politike të jenë pjesë e një procesi që të diskutojnë edhe nëse nuk e përkrahin dialogun.

Sipas Fitout, qoftë krijimi i një ekipi të unitetit, i një koalicioni të ri apo edhe i zgjedhjeve të parakohshme do të ishin procese demokratike që nuk duhen kundërshtuar.

“Në një vend demokratik mund të keni zgjedhje në çdo kohë. Dhe nëse janë zgjedhje të parregullta atëherë ato janë të paparashikueshme”, ka shpjeguar Fitou.

“Është e lehtë të thuhet që nuk kemi kohë për një proces të tillë, nuk jemi gati, por kurrë nuk i dihet se kur do të tronditet skena politike dhe zgjedhjet nuk të pyesin nëse ke kohë. Po flitet për zgjedhje, po flitet për koalicion të ri, unë krejt çfarë shpresoj është që të ketë bashkërendim”, ka shtuar ambasadori francez për "Koha Ditore".

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›