“Muri” fitues
Kësaj radhe bëhet fjalë për festivalin “Ballkan Film Festival”, që u mbajt nga data 3 deri më 9 shtator, në Pogradec, ku u vlerësua me çmimin ‘Best Short Film’.
Çmimi i filmit me metrazh të gjatë shkoi në Kroaci, gjegjësisht, filmit “Djali i Askujt”, të autorit Arsen Ostojiç. Ndërkaq, çmimi për filmin e shkurtër dokumentar më të mirë iu nda filmit “Librat”, të Ervin Baxhakut dhe Eriona Çamit. Pjesa tjetër e çmimeve shkuan në shtetet tjera rajonale.
Organizatorë të kësaj ngjarjeje artistike ishin regjisori Eno Milkani, Gerta Çurku dhe Fatos Baxhaku gazetar i televizionit Top Channel.
Kosova sivjet u përfaqësues me filmin “Muri”, përderisa vitin e kaluar në festival triumfoi filmi i Driton Hajredinit dhe Yll Çitakut.
Në kuptimin ideor, “Muri” flet për muret njerëzore dhe ndërnjerëzore - në kuptimin fizik e mendor. Ngjarja zhvillohet në një fshatë lokal kosovar, me mure të larta oborresh. Por në momentin kur ato duhen tejkaluar, shfaqen pengesa fizike. Si pasojë, e pëson njeriu i rëndomtë, por jo edhe vrastarët (serbët), pushtetet dhe pushtetarët përgjithësisht.
Pra, në fokus të filmit janë muret, dhe pasojat që vijnë nga ata në rrethanat e një lufte - siç ishte kjo e fundit.
Kineast të shumtë të huaj e vendorë vlerësuan filmin për origjinalitet ideor, tematikë, gjetje, qasje, por edhe për mendësinë që trason filmi, për aktrimin profesional të Xhelal Halitit, Ilir Prapashticës, Auritë Agushit dhe Dardana Mehmetit. Së këndejmi, Pirro Milkani, Mevlan Shanaj, Rikard Ljarja, Natasha Lako, Mariana Leka, por edhe qytetarë të shumtë të këtij qyteti, shkrimtarë, piktorë, e artistë fushash të ndryshme, i dhanë pikë meritore filmit dhe aktrimit.
Ndryshe, vetë festivali u cilësua si një gjetje origjinale në raport me rrethanat ballkanike. Përveç filmit, në strukturën e tij përmbajtjesore festivali përfshiu dhe kulinarinë ballkanike. Për një çmim të vetëm garuan ushqime nga të gjitha vendet rajonale. E në natën finale, u shtrua edhe një drekë kosovare.
Natyrisht, Shqipëria njihet edhe si vend turistik, përtej asaj që quhet histori. Ajo ka dhe disa festa vere, që reflektohen në formë ritesh pagane, por edhe që asaj i japin një ngrohtësi të veçantë. Festa e verës, liqeni, vallëzimi, muzika, humori, batutat, janë elementet shtesë që e fuqizojnë ngjarjen kinematografike në Pogradec. Miqësia, dashuria, e ngrohtësia që ofron qyteti, bashkë me ftesat në ambiente shtëpiake, janë motivet shtesë që e dallojnë këtë festival.
“E shijova atë mrekulli njerëzore dhe artistike në kuptimin më praktik”, pohon skenaristi i filmit, Naser Shatrolli. Sipas tij, në Porgradec kryesisht kultivohet një kulturë e vendeve ballkanike, të cilat përveç që shfaqin filma shtrojnë edhe ushqimet e tyre tradicionale.
Ndryshe, trofeu i festivalit ka formën e një “qypi”, të cilin mund ta mbushësh me lekë, me idenë e bërjes së filmit të radhës. Trofeu është punuar nga dheu – një gjetje kjo krejt origjinale në raport me rrjedhat dhe natyrën e festivalit.
Pak për “Murin”
Skenari i bërë nga Naser Shatrolli, fillimisht, në vitin 2010, fitoi në konkursin e Festivalit 9/11. Ndërkohë, filmi rrugëtoi nëpër disa festivale ndërkombëtare, në Itali, Greqi, Zvicër, Shqipëri, e Kosovë, dhe deri tani fitoi gjashtë çmime. Gjithsesi, natyra e tij bëri që filmi të vlerësohet si gjetje origjinale për rrethanat dhe kohën në të cilën jetojmë.
Regjinë e “Murit” e ka bërë Gazmend Nela.