Kthimi është i imi

Regjisorja e filmit ‘Kthimi’, Blerta Zeqiri, u është kundërpërgjigjur pohimeve të producentit të filmit, Blerim Gjoci, sipas të cilit, paraqitja e tij si autor i filmit nëpër festivale ka qenë gabim teknik. Ajo i quan të pavërteta pohimet e Gjocit dhe si fakt shtesë kundër këtyre pohimeve sjell Festivalin e Filmit të Milanos, ku filmi ‘Kthimi’ është prezantuar si film i Gjocit. Ky është festivali i tretë më radhë brenda një jave që e paraqet Gjocin si filmbërës, edhe pse nuk ka qenë i pranishëm në xhirime, në montazh dhe postproduksion të filmit.
“Pasi që ka kaluar një vit të shfaqjeve të filmit ‘Kthimi’ si ‘film nga Blerta Zeqiri’, Blerim Gjoci ka intervenuar edhe në vet kopjen e filmit, duke e ndryshuar fjalën ‘film nga’ në ‘regjisore’. Kjo, në mendjen e tij, ia krijon atij bazën për ta paraqitur filmin në festivale si ‘film nga’ Blerim Gjoci”, është shprehur regjisorja Zeqiri në një reagim të saj kundër deklaratave të Gjocit.
Zeqiri thotë se Gjoci të njëjtën kërkesë ia kishte parashtruar Akademisë Evropiane të Filmit në një e-mail, ku kërkon që filmi të mos paraqitet si film i regjisores por si film i producentit.
“Blerim Gjoci, të njëjtën kërkesë ia kishte parashtruar Akademisë Evropiane të Filmit në një e-mail, ku përfaqësueses së Akademisë Evropiane të Filmit i kishte shkruar me këto fjalë:
‘Filmbërës i ‘Kthimit’ është producenti Blerim Gjoci. ‘Kthimi’ nuk duhet të paraqitet si film nga regjisori. Ai duhet të paraqitet si film nga producenti, filmbërësi’”, ka shtuar Zeqiri, duke theksuar se filmi ‘Kthimi’ deri më tani (për gati një vit) është paraqitur si film nga Blerta Zeqiri, siç shihet edhe në trailerin zyrtar të postuar nga Prishtina Film në YouTube, por edhe në vetë faqen e internetit të festivalit 9/11, e edhe në festivalin Sundance, atë të Sarajevës, Go Short, etj.
Ajo ka shtuar se nëse vazhdon paraqitja e ‘Kthimit’ në të njëjtën mënyrë, atëherë ai do të diskualifikohet nga gara për Oskar 2013.
“Me fitoren e tij në ‘Sundance 12’, ‘Kthimi’ është kualifikuar për të aplikuar për shpërblimin Oscar 2013 për Filmin më të mirë të shkurtër. Blerim Gjoci më parë në media deklaroi që në rast ngadhënjimi statuetën Oscar për filmin më të mirë e merr producenti. Në anën tjetër rregullat e Akademisë Amerikanë të Filmit – Oscar thonë: ‘statuetën do ta pranojë individi që është drejtpërdrejt përgjegjës për konceptin dhe ekzekutimin kreativ të filmit’. Nëse filmi ‘Kthimi’ aplikon në Oscar 2013 me emrin e Blerim Gjocit si pranues i statuetës në rast ngadhënjimi, atëherë Akademia Amerikane e Filmit – Oscar do të ketë bazë për diskualifikimin e menjëhershëm të tij nga gara e vitit 2013, pasi që Blerim Gjoci nuk është drejtpërdrejt përgjegjës për konceptin dhe ekzekutimin kreativ të filmit”, u shpreh regjisorja Zeqiri.