E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rock n’roll” me surle

Të mërkurën mbrëma në Teatrin Kombëtar u dha premiera e parë për këtë vit, “Rock n’rol” e autorit britanik Tom Stoppard, në regji të Dino Mustafiq. Për rreth 3 orë publiku qëndroi afër lojës dhe spektaklit “Rock n’roll”. Nga Albana S. Muja më 14 janar 2011 në ora 14:07

Gërshetimi i lojës, përjetimet e aktorëve dhe muzikës, u panë dhe u bashkëndjenë për rreth 3 orë, të mërkurën në TKK, me shfaqjen “Rock n’roll” të regjisorit Dino Mustafiq.
Kalimi nga viti në vit ishte pjesë e pandashme e dramës, e cila shkëputej herë-herë nga Praga në Kosovë nëpërmjet përjetimeve personale të aktorëve, të cilat u interpretonin të bashkangjitura me lojën aktoreske.

Mustafiq dramën e autorit Tom Stoppard, e cila ndodh në Pragë dhe Kembrixh, në periudhën 1968 -1989, përpjekjet e ndryshme të rezistencës ndaj regjimit represiv dhe ndikimet e muzikës rock në realitetin e këtyre viteve, dramë të cilën e përfundon me koncertin e grupit Rolling Stones më 1990 në Pragë, e ndërlidhi me dramën e popullit shqiptar gjatë luftës së fundit në Kosovë, e duke përfunduar me koncertin e grupit Jericho, të cilët interpretuan muzikën e tyre rock bashkë me një pjesë të muzikës folklorike me surle.

Ideja që në një shfaqje teatrore, të bëhen bashkë tri qasje, loja e aktorit, përjetimet personale dhe muzika, sipas regjisorit Fadil Hysaj, mund të jetë e huaj për Kosovën, atëherë kur është fjala për një dramë e cila flet për disidencën.

“Mendoj që regjisori ka arritur të sjellë mjaftë afër asaj çka ka ndodhur në Kosovë, megjithatë kjo është një shfaqje autoriale ku regjisori përdorë shkrimtarin aq sa i duhet i përdor muzikantët aq sa ata i duhen ndonjëherë edhe më shumë dhe tregimet e aktorëve, krejt ky është një lloj i teatrit që pak është jo i zakonshëm, është një përzierje zhanresh, stilesh që e lejon e ashtuquajtura epoka e postmodernes, mendoj që për diçka të tillë vërtet ka pasur nevojë skena e teatrit të Prishtinës”, u shpreh Hysaj.

Edhe dramaturgu Arian Krasniqi, ftesën e TKK-së që regjisori Mustafiq të vijë për të vënë në skenë pjesën teatrore “Rock n’Roll”, e konsideron me vlerë.

“E gjithë kjo vjen para nesh si një përpjekje serioze për të krijuar spektakël, shfaqje ose më mirë të themi performancë multimediale”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë që “kjo shfaqje është e realizuar shumë mirë dhe, edhe përkundër kohëzgjatjes që ka, arrin që të mbajë interesimin e publikut përmes atmosferës muzikore por edhe interpretative”.

Personazhet e Stoppard, Mustafiq i jetësoi me lojën e aktorëve: Kushtrim Hoxha, Mentor Zymberaj, Gresa Pallaska, Ilire Çelaj, Armend Ismajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Besnik Krapi, Fisnik Zeqiri, Rebeka Qena, Semira Latifi, Fisnik Sykaj & Bendi Jericho. “Ishte një përvojë shumë e mirë, sepse më pëlqen të luaj në shfaqje të cilat nuk janë një dimensionale”, tha aktori Kushtrim Hoxha, i cili pati rolin e Janit, njëri nga rolet kryesore të shfaqjes.

Për aktoren Gresa Pallaska, e cila luante rolin e Esmes, nuk u prononcua pasi që sipas saj, të gjitha janë thënë me lojën e saj në shfaqje. E sipas Hysajt, roli i Pallaskës nuk mundet pa u potencuar. “Gresa Pallaska ka pasur momente të jashtëzakonshme në shfaqje që dalin mbi shfaqjen shpesh, shfaqja pa të nuk do të ishte kjo që e pamë”, tha Hysaj.

Ndërsa aktori Mentor Zymberaj, me rolin e Maxit, njëri nga rolet kyçe në shfaqje, ishte punë jo e lehtë për të, duke i pasur parasysh kalimin e viteve nga të dyzetat deri tek vitet shtatëdhjeta.

“Ishte një rol mjaftë i vështirë për realizim por edhe mjafte atraktiv. Zhvillimi i tij fragmentar nga vitet e dyzeta të jetës së tij e deri në fund, në vitet shtatëdhjeta ishte mjaftë provokativ dhe njëherit inspirues për një kreacion të mirëfilltë aktoresk. Mendoj se ka zgjuar interesim të madh të krijuesve, kolegëve, kritikëve dhe shikuesve”, tha Zymberaj.

Ndërsa shfaqjen, Zymberaj e konsideron një projekt mjaftë voluminoz, ku ishin të sintetizuara loja skenike, arti muzikor nga vetë aktorët si dhe bendi gjatë shfaqjes.
“Loja koreografike, rrëfimet dhe loja e dokumentarëve të vetë artistëve pjesëmarrës në temën e represionit, duke mos anashkaluar anën dokumentare nga pamjet vizuale, e tërë kjo u realizua me një tempo të madhe të punës dhe një punë të pa kompromise të artistëve pjesëmarrës të shfaqjes. Ishte një bashkëpunim shumë i mirë si me regjisorin, mirëpo edhe me tërë ekipin realizues qofte ai artistik por edhe teknik i shfaqjes. Ishte vërtet shfaqje ansambli”, tha Zymberaj.

I entuziazmuar me pritjen e publikut, regjisori Mustafiq tha: “Shpresoj që kjo shfaqje të jetojë gjatë në repertorin e rregullt të teatrit. Dhe jam shumë i lumtur që kam bashkëpunuar me këta njerëz, me aktorë shumë të talentuar të gjeneratave të ndryshme dhe mendoj se ata na kanë dhënë sonte pjesën më të mirë të shpirtit dhe emocioneve të tyre”.

Shfaqja “Rock n’roll” është një shfaqje e cila i takon buxhetit të vitit 2010 dhe 2011 sipas drejtoreshës së TKK-së Burbuqe Berisha. Repriza e parë e shfaqjes është dhënë me datë 13, pastaj reprizat vazhdojnë sot me 14 dhe nesër me 15 janar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›