Projekt për restaurimin e kishave të vjetra

Disa prej kishave, monument kulture në qytetin e Korçës, pritet t’i nënshtrohen një procesi restaurimi. Projektet parashikojnë një restaurim të pjesshëm, kryesisht riparime të jashtme të objekteve të dëmtuara nga faktorët atmosferikë përgjatë kohës, e që vënë në rrezik strukturën e tyre.
Nuk bëhet fjalë për restaurim afreskesh e objekte të tjera. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Monumenteve në Korçë, do të restaurohen disa kisha për këtë vit, të cilat, për shkak të vjetërsisë së objekteve, kërkojnë ndërhyrje si në kambanarë dhe çati, por edhe në muret rrethuese. Në listën e Drejtorisë së Monumenteve janë përfshirë manastiri i Voskopojës dhe ai i Vithkuqit dhe disa nga kishat shekullore që datojnë që nga shekujt 17-18.
Drejtori i kësaj dege në Korçë, Artan Buzo, thotë se projektet janë gati për të paktën 6 kisha dhe objekte të rëndësishme që njihen si monument kulture, mes të cilave kisha e Shën Mërisë në Voskopojë, kisha e Ristozit në Mborje dhe ajo e Shën Kollit etj.
"Për këtë vit kemi planifikuar të ndërhyjmë me restaurime në manastirin e Voskopojës, ku do të bëhet përmirësimi i kupolës dhe në manastirin e Vithkuqit, ku do të ndërhyhet në themele dhe në muret rrethuese. Restaurime do të kryhen edhe në kishat e Ristozit në Mborje dhe në kishën e Lubonjës, ku do të kryhen punime në muret rrethuese dhe në çati, si dhe në kishën e Shën Kollit dhe atë të Shën Mërisë në Voskopojë, në të cilat ka nevojë për ndërhyrje në kambanarët dhe në çatitë përkatëse.
Në plan është edhe kisha e Tudasit. Punimet pritet të nisin në muajin mars. Këto janë konstatuar si dëmtime të shkaktuara nga lagështira", ka deklaruar drejtori i monumenteve, Artan Buzo. Sipas preventivave, bëhet fjalë për një fond prej 30 milionë lekësh që do të përdoret për këto objekte.