“Yue Madeleine Yue” në Euro-scene

Festivali i Teatrit Bashkëkohor Europian ‘Euro-scene’ sjell në çdo edicion shfaqje eksperimentale dhe dance -shfaqje nga e tërë Europa. Konsiderohet një prej festivaleve më të rëndësishme europiane të teatrit bashkëkohor. Në edicionin e 22-të të këtij festivali, i cili do të mbahet prej datës 6 deri më 11 nëntor në Lajpcig të Gjermanisë, do të marrë pjesë edhe shfaqja kosovare ‘Yue Madeleine Yue’. Pos shfaqjes kosovare, në programin zyrtar të këtij festivali do të marrin pjesë edhe trupa të tjera nga Franca, Italia, Polonia, Lituania, Gjermania, Zvicra, Sllovenia, Belgjika etj.
Shfaqja ‘Yue Madeleine Yue’ do të ketë dy prezantime radhazi, me 9 dhe 10 nëntor. ‘Yue Madeleine Yue’, prodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina, është dramë e autorit Jeton Neziraj. Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Blerta Rrustemi, muzikën e ka kompozuar Gabriele Marangoni, koreografinë: Gjergj Prevazi, skenografinë dhe dizajnin e dritave: Nico de Rooij, kostumet Dorothy Barnes, kurse luajnë: Anisa Ismaili, Kujtim Paçaku, Adrian Morina, Fitore Broqi, Bajram Kinolli – Kafu dhe Fisnik Sykaj, muzicient: Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), asistent kostumografe: Amber Givens, menaxhere e skenës: Adelina Berisha, ndriçimi: Skënder Latifi.
Në qendër të kësaj tragjikomedie të absurdit është një familje rome e kthyer me forcë nga Gjermania në Kosovë. Të ndodhur në një realitet të ri, atyre tani u duhet të ballafaqohen me sfidat e shtetit të sapolindur. Vajza rome, Medlin, një ditë bie në një gropë të hapur nga një kompani ndërtimi. Dhe derisa vajza e mbetur në koma lufton me vdekjen, babai i saj, në përpjekje për të kërkuar drejtësi, ballafaqohet me zyrtarë burokratë, biznesmenë, policë e punëtorë ambasadash. Kjo është një dramë politike për pasluftën kaotike në Kosovë, por, para së gjithash, është një dramë për romët e padëshiruar në Evropë. Larg atyre stereotipave për romët, larg atij ekzotizmit që përcjell zakonisht temat rome, “Yue Madeleine Yue” është një dramë inteligjente që shqyrton në mënyrë të shkëlqyeshme procesin emocional nëpër të cilin sot kalojnë me mijëra romë të Evropës, të cilët u nënshtrohen proceseve të dhunshme të riatdhesimit.
‘Yue Madeleine Yue’ ka pasur premierën botërore në teatrin austriak “Volkstheater”, ku është dhënë në kuadër të festivalit “Die Besten aus dem Osten: Folge 10”, me datë 24 dhe 25 shkurt.
Mediat austriake i patën dhënë jehonë të jashtëzakonshme shfaqjes kosovare. Gazeta kryesore austriake Der Standard, ndër të tjera, pat shkruar: “Blerta Rrustemi ka inskenuar ketë rrëfim tragjik me gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, si një revy temporale numrash. Shfaqja është përplot humor, në mes një hareje fëmijërore dhe të një satire të furishme, nëpërmjet të cilave mëshira dhe poezia nuk qëndrojnë kurrë në të njëjtën rrugë”. Edhe gazeta Wiener Zeitung ka publikuar një kritikë superlative për shfaqjen. “Gjashtë aktorë dhe dy muzikantë, me pak rekuizita sollën një ankth të çastshëm satiro-komik, të dhimbshëm e të përlotshëm në një skenë të zhveshur, mbi dysheme”, pat shkruar gazeta vjeneze.
Në Kosovë shfaqja ‘Yue Madeleine Yue’ është dhënë me datë 21 maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa me 23 maj është dhënë në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë edhe në edicionin e tretë te festivalit Zoom, që është mbajtur nga 6 deri më 12 shtator në Rijekë të Kroacisë.