E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtari shau Mikelin?

Përveç që besojnë se e përjashtoi pa të drejtë Fernando Torresin dhe pranoi golin nga pozita jashtë loje të sulmuesit të Manchester Unuitedit, Javier Hernandez, Chelsea ka akuzuar gjyqtarin Mark Clattenburg për fyerje ndaj dy futbollistëve të tij. Arbitri thuhet se ka fyer në baza racore mesfushorin John Obi Mikel. Gjiganti londinez ka paraqitur ankesë ndaj Clettenburgut duke u ankuar se ai përdori “gjuhë të patolerueshme” ndaj lojtarëve të tyre në duelin e së dielës në Stamford Bridge.

Chelsea ka paraqitur ankesë te autoritetet e futbollit për gjyqtarin Mark Clattenburg, i cili shkaktoi polemika të shumta me ndarjen e drejtësisë në humbjen 3-2 në shtëpi ndaj Manchester Unitedit të dielën.

Gjiganti londinez ka akuzuar gjyqtarin për “përdorimin e gjuhës së patolerueshme” ndaj dy futbollistëve, ku në njërin prej rasteve thuhet se ka përdorur sharje raciste. Klubi nga Londra perëndimore publikoi një komunikatë por nuk zbuloi identitetin e futbollistëve në fjalë edhe pse njëri prej tyre besohet se është reprezentuesi nigerian John Obi Mikel, për të cilin menaxheri Sir Alex Ferguson mendoi se ishte me fat që i shpëtoi përjashtimit, të cilin e morën dy futbollistë të tjerë të Chelseat, mbrojtësi Branislav Ivanovic dhe sulmuesi Fernando Torres.

Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo ishte i hidhëruar me vendimet e Clattenburgut, sidomos atë për përjashtimin e Torresit me kartonin e dytë të verdhë për simulim, derisa asistenti pranoi golin e fitores të Javier Hernandezit edhe pse ai realizoi nga pozita jashtë loje.

Di Matteo shkoi për të takuar Clattenburgun pas takimit, i shoqëruar nga disa anëtar të stafit teknik, dhe ishte i vetëdijshëm për ankesat e futbollistëve të tij. Mikel po ashtu besohet se ka vizituar Clattenburgun në zhveshtoren e gjyqtarëve. “Ne kemi paraqitur një ankesë te delegati i ndeshjes sa i përket gjuhës së patolerueshme të përdorur nga gjyqtari në drejtim të dy futbollistëve tanë në dy incidente të ndryshme të takimit kundër Manchester Unitedit”, deklaroi një zëdhënës i Chelseat.

“Delegati i ndeshjes do ta përcjell ankesën te Federata angleze. Ne nuk do të bëjmë komente shtesë në këtë kohë”, shtoi ai. Clattenburg nuk u prononcua në mediet angleze pas akuzave të Chelseat por shoqata e gjyqtarëve të Premierligës publikoi një komunikatë duke u zotuar se: “Mark do të bashkëpunojë plotësisht dhe mirëpret mundësinë e paraqitjes së fakteve. Asnjë koment shtesë nuk do të bëhet deri kur kjo çështje të sqarohet”.

Futbollisti tjetër që besohet se ishte viktime e gjuhës së ashpër nga Clattenburg është mesfushori spanjoll Juan Mata. Këto incidente vijnë vetëm një javë pas fuqizimit të fushatës Kick it Out, kundër racizmit ku skuadrat u pajtuan që kapitenët të bartin shirit dhe fanella para fillimit të ndeshjeve të Premierligës, por edhe dueleve të xhiros së shkuar në Ligën e Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›