15 mijë të huaj punojnë në Shqipëri, ekspertët kërkojnë politika më të drejta pune

Rreth 15 mijë punonjës të huaj janë aktualisht të punësuar në vendin tonë, sipas të dhënave më të fundit. Shumica e tyre janë të angazhuar në sektorin e ndërtimit, hoteleri-turizmit dhe shërbimeve të ndryshme.
Drejtori i ISHPSHSH, Elio Muça, u shpreh për RTSH se “12 deri në 15 mijë leje pune lëshohen çdo vit nga autoritetet për punonjës të huaj, të cilët janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm. Flukset më të mëdha vihen re nga vendet aziatike, sikurse mund të jenë Bangladeshi apo Filipinet. Turqia është një tjetër vend. Por ka dhe një tjetër fenomen, i cili ka qenë pjesë gjatë këtij programi, që ka qenë punonjësi ndërkufitar.”
Drejtoresha ekzekutive për organizatat e zhvillimit të qëndrueshëm, Ada Ilia nga ASDO, theksoi se përmirësimi i politikave të migracionit dhe ulja e informalitetit mbeten prioritete kryesore. Ilia nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Kemi punonjës nga vende si Filipinet, Bangladeshi, India, vendet arabe dhe Turqia. Gjithashtu kemi emigrantë edhe nga Italia, të cilët vijnë në vendin tonë, por jo në formatin e punonjësve, por atë të hapjes së bizneseve.”
Ekspertët theksuan nevojën për politika më efektive që sigurojnë kushte të barabarta për punëtorët vendas dhe të huaj.
Florjan Piperi, ekspert i politikave ligjore, theksoi se “Mbrojtja e punonjësve duhet të bëhet e plotë, që nga rekrutimi dhe deri në përfundimin e kontratës. Një nga boshllëqet më të mëdha në zbatimin e ligjit është periudha para lidhjes së kontratës së punës. Raporti propozon që ISHP-ja të ketë mandate të plota për të hetuar praktikat e paligjshme të rekrutimit.”
Gjatë konferencës së zhvilluar për një punësim të drejtë dhe të rregullt, u diskutua gjerësisht për sfidat e tregut të punës dhe përfshirjen e punëtorëve migrantë.
Migracioni i punës po bëhet një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/