E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjekmarkaj: Mazhoranca e ka marrë peng Kuvendin, Peleshi të mbrojë demokracinë, jo partinë

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ndaj ndërprerjeve të shpeshta të seancës dhe masave disiplinore ndaj opozitës, duke e cilësuar sjelljen e mazhorancës si një përpjekje për të “asgjësuar çdo formë debati demokratik”.

Në një deklaratë për shtyp, Gjekmarkaj denoncoi Partinë Socialiste se po e trajton Parlamentin si “pronë private në shërbim të interesave të saj të ngushta partiake,” duke theksuar se kjo situatë është “e paprecedentë dhe thellësisht shqetësuese.”

Sipas Gjekmarkajt, qëndrimi i mazhorancës ka një qëllim të qartë politik: të heshtë opozitën, të pengojë interpelancat dhe të shmangë kontrollin demokratik, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë.

“Ata nuk duan debat, nuk duan interpelancë, nuk duan transparencë – e gjithë sjellja e tyre synon të fshijë çdo zë kritik dhe të asgjësojë çdo kontroll demokratik,” tha Gjekmarkaj.

Ai shtoi se ngjarjet e fundit u provokuan qëllimisht “për të vendosur një precedent të rrezikshëm: të ndalohen pyetjet e opozitës ndaj përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, të cilët pritet të raportojnë në Kuvend për çështje të rëndësishme, përfshirë aferat korruptive.”

Nënkryetari i Kuvendit i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Kryetarit të seancës, Niko Peleshi, duke i kërkuar të veprojë në mënyrë të paanshme:

“Zoti Peleshi, është koha të silleni si Kryetar i Parlamentit të gjithë shqiptarëve – jo si ushtar i bindur i një partie. Ushtrinë e keni kryer me kohë. Tani keni detyrimin të mbroni demokracinë,” përfundoi Gjekmarkaj.

Ai e konsideroi ndërprerjen e debatit dhe bllokimin e pyetjeve si “një akt të rëndë kundër demokracisë” dhe “një dënim me vdekje për vetë parlamentarizmin”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›