E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

15 vjetori i pavarësisë së Kosovës/ Begaj: Ka treguar maturi politike, faktori shqiptar të bëhet njësh kundër provokimeve të Serbisë

Në pritjen e organizuar nga ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i vendit Bajram Begaj ka deklaruar se shteti më i ri në Ballkan ka demonstruar pjekuri dhe maturi në rrugëtimin e tij.

Sipas Begajt, Shqipëria është një mbështetëse e natyrshme e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në organizatën ndërkombëtare.

Begaj shtroi domosdoshmërinë e faktorit shqiptar në Ballkan për të qenë i njehsuar në provokimet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës. Ndërsa shtoi se Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së.

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik. Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.  Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.   Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë. Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftrave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.  Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qënurit bashkë në familjen e madhe evropiane. Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njëhsuar në qëndrimet e tij.  Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjelltë dhe respektimi i minoriteteve. Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e cdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona. Urime Kosovë!”, u shpreh Begaj në fjalën e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›