Shpërndarja e fondeve/ PD nuk mori pjesë në zgjedhjet e 2019, Celibashi: Do merren si referim zgjedhjet e 2015

Ndonëse nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale të 2019, Partia Demokratike do të marrë fonde për zgjedhjet e 14 majit. Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se në këtë rast do të zbatohet neni 180, që përcakton se për referim do të merren zgjedhjet pararendëse të vitit 2015. I pyetur në lidhje me fondin që do shpërndahet, Celibashi tha se ky vendim i takon Kuvendit, por shtoi se nuk do të jetë më i vogël se 130 milionë lekë.
“Ligji ka përcaktuar në dispozitën tranzitore neni 180 që merr fonde partia që ka marrë pjesë në zgjedhjet pararendëse në 2019. E dimë që PD nuk mori pjesë, por neni 180 ka përcaktuar në referim do merren sipas rastit zgjedhjet e 2015 dhe 2017. Kuvendi e vendos se sa para do të vendosim në dispozicion të partive politike për fushatën e tyre zgjedhore, por ky fond nuk do jetë më i vogël se 130 milionë. Megjithatë është çështje e Kuvendit dhe nuk kemi obligim”, tha Celibashi.
I pyetur në lidhje me Partinë Demokratike, për statutin e së cilës pritet të merret një vendim nga Gjykata më 3 mars, Celibashi theksoi se PD do të regjistrohet nëse do të plotësoje kushtet.
“Ka vetëm një PD që nëse do plotësojë kushtet për t’u regjistruar, do regjistrohet. Në momentin që do paraqitet kërkesa për regjistrim, do vlerësojmë dokumentacionin dhe cilësitë e personit që paraqesin kërkesën për regjistrim. Në datë 3 Gjykata do vendosë në lidhje me konfliktin se cili është organi qeverisës i PD. Duhet të jetë e qartë se cili është organi drejtues i asaj partie”, u shpreh ai.
/rtsh.al/