167 milionë euro për Fondin e Veçantë të Pensioneve

Ministria e Financave ka njoftuar këtë të premte, 20 shkurt, se të gjitha fondet buxhetore që nuk u shpenzuan nga ministritë dhe institucionet publike gjatë vitit 2025 tashmë janë transferuar në Fondin e Veçantë të Pensioneve.
“Shuma përkatëse është rreth 167 milionë euro, të depozituara tashmë në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.
Transferimi i këtyre fondeve përfaqëson një premtim të mbajtur dhe një angazhim të qartë për të përmirësuar sistemin e pensioneve, duke siguruar stabilitet afatgjatë dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike.“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së drejtuar nga Petrit Malaj.
Ministria e Financave thekson se Reforma e Pensioneve do të vijojë të “zbatohet me vendosmëri, me qëllim ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për çdo qytetar”.
Transferimi i këtyre fondeve buxhetore është kryer në zbatim të Aktit Normativ Nr. 11, datë 19.12.2025, si dhe në përputhje me kuadrin ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor.