1.7 miliardë lekë investime në infrastrukturën ujitëse dhe kulluese

Për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes në bujqësi qeveria ka adresuar në buxhetin e vitit 2022 një fond prej 1.7 miliardë lekë, shkruan ATSH.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, ka detajuar projektet konkrete ku do të investohet me qëllim zgjerimin e sipërfaqes së ujitshme të tokave bujqësore dhe forcimin e argjinaturave, për mbrojtjen nga përmbytjet.
Strategjia e MBZHR për vitin që vjen, parashikon në fushën e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, të realizojë investime të rëndësishme që synohet të arrihen për periudhën afatmesme 2021-2023.
Në fushën e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, synohet të realizohet rritja e sipërfaqes potencialisht të ujitshme për fermerët nga 70% në vitin 2021, në 73% në vitin 2023.
Ndërkohë, investimet do të rrisin numrin e hidrovoreve të rehabilituara, ndërtuara dhe rikonstruktuara.
MBZHR bën të ditur se, konkretisht, përqindja e hidrovoreve të rehabilituara, ndërtuara, rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 50% në vitin 2021 do të rritet në 64% në vitin 2023.
Gjithashtu, sipërfaqja ujitëse me infrastrukturë kryesore të përmirësuar, do të rritet në 35 mijë ha, ndërsa mirëmbajtja e veprave të mbrojtura nga përmbytja (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm (300 km) nga 28% në vitin 2021 do të rritet në 35% në vitin 2023. (Sipas ATSH)