Rrugët që financon buxheti 2022

Vitin e ardhshëm qeveria do të financojë katër projekte të reja në infrastrukturën rrugore. Buxheti i vitit 2022 parashikon 12 miliardë lekë mbështetje për Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndërtim dhe sistemim rrugësh. Pjesën më të madhe të kësaj mbështetjeje, 4.6 miliardë lekë do ta marrë ndërtimi i tunelit të Llogarasë që do të lidhë Orikumin me bregdetin e Himarës.
Ky projekt parashikohet të kushtojë afro 19.4 miliardë lekë në total, të shpërndara në 4 vite buxhetore.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm qeveria parashikon një mbështetje të konsiderueshme buxhetore edhe për Unazën e Jashtme të Tiranës.
Sipas të dhënave të projektbuxhetit, vitin e ardhshëm për këtë project pritet të investohen edhe 1.7 miliardë lekë të tjera. Ato do të shërbejnë kryesisht për segmentet e reja të Unazës.
Dy projekte të tjera të reja që do të mbështes buxheti janë ndërtimi i Bypassit të Tiranës dhe Gjirokastrës.
Ndërkohë, në listën e projekteve që do të financohen janë edhe kontratat e koncesionit si ai për “Ndërtimin e Rrugës së Arbrit”, “Ndërtimin e Rrugës Milot-Morinë”, koncesioni për “Ndërtimin e Rrugës Orikum-Dukat dhe “Ndërtimi i Rrugës Milot-Balldre”.