E Diel, 1 Nëntor 2026

“1,7 mld euro vetëm për rritjen e pensioneve”, Rama: Nga janari, paga minimale 500 euro

Pas Njësisë nr.5, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme dëgjesën e rradhës me banorët e Njësisë nr.2 në Tiranë.

Sipas kreut të qeverisë, financimi për pensionistët zë hapësirën kryesore në projektbuxhet me  1.7 miliardë euro të veçuara.

“Në një farë mënyrë është një ushtrim që ne e bëjmë edhe si rezultat i një situate që e dini shumë mirë dhe që është një situatë disi e imponuar nga rrethana qe nuk varen prej nesh. Është e domosdoshme që të gjithë të bëjnë atë që duhet brenda mundësive dhe pozicioneve që kanë që gjërat në bashkinë e Tiranë të shkojnë sa më mirë. Më vjen mirë sepse na erdhi mundësia sot që duke folur për buxhetin e Tiranës të përfitojmë nga rasti që të flasim dhe për buxhetin kombëtar. Më në fund kemi vendosur atë që kemi dashur të bëjmë prej kohësh, por na është dashur kohë për të mundur ta bëjmë, rritjen e mbështetjes reale, për pensionistët që faktikisht do të zë pjesën kryesore në financimin e shtetit në këtë mandat të katërt. Mbështetja ekstra për pensionet do të shkojë në shifrën 1.7 miliardë euro të cilat janë të ndara në 4 vite, janë të përcaktuara në buxhetin afatmesëm dhe janë qoftë për pjesë që do të na mundësojë realizimin e objektivit të shpallur lidhur ku duam ti çojmë pensioni mesatar në kategorinë e pensionit të plotë urban dhe atë minimal në kategorinë e pensionit rural”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama bëri të ditur se nga janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Ndërsa shtoi se, synohet që deri në fund të mandatit paga minimale të shkojë në 700 euro.

“Nga janari paga minimale rritet në 500 euro, nuk do jetë rritja e parë, do jetë një rritje siç e kemi të thënë para se të merrnim besimin dhe 83 mandate për të çuar pagën minimale700 euro brenda mandatit 4”.

Sipas tij, rritja e pagës minimale prek edhe sektorin privat.

“Do rriten pagat edhe në sektorin privat, pavarësisht se pagat në sektorin privat nuk i rrit qeveria. Ka ndodhur më parë dhe do të ndodhë përsëri, se paga minimale do ti shtyjë më lart pagat e tjera”, tha Rama duke shtuar se të gjitha këto do bëhen pa rritur asnjë taksë.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që nuk ka tatim fitimi për biznesin e vogël.

“Të gjitha këto do bëhen pa prekur asnjë taksë, pa rritur asnjë taksë. Ne kemi marrë një zotim dhe do ti qëndrojmë atij zotimi, jemi i vetmi vend në të gjitha rajonin tonë, ku nuk ka tatim fitimi për biznesin e vogël. Biznesi i vogël deri në vitin 2029 do ta ketë zero tatimin mbi fitimin dhe të vetëm kontribute që do vazhdojë të paguajë janë kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›