E Diel, 1 Nëntor 2026

17-vjetori i themelimit të Gjykatës Kushtetuese, Shiroka-Pula: Kushtetuta garanton se askush nuk është mbi ligjin

PRISHTINË, 22 tetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të jetë e pavarur dhe vendimet e saj të respektohen, pavarësisht efekteve politike që mund të kenë. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në konferencën ndërkombëtare të organizuar me rastin e 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në konferencën me temën “Roli i gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin demokratik të institucioneve”, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së gjykatave kushtetuese për mbrojtjen e demokracisë, sundimin e ligjit dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ajo tha se Kushtetuta përcakton kufijtë e pushtetit dhe garanton se askush nuk është mbi ligjin.

“Kushtetuta i përcakton këto kufij, ajo garanton se askush nuk është mbi ligjin, se pushteti nuk është i pakufizuar dhe se të drejtat dhe liritë e qytetarëve nuk varen nga vullneti i atyre që ushtrojnë autoritetin publik. Pavarësia e gjykatës kushtetuese, nuk është vetëm një parim juridik, ajo është një garanci themelore e demokracisë, e sundimit të ligjit dhe e besimit të qytetarëve se kushtetuta do të mbrohet në praktikë në çdo rrethanë dhe pa përjashtim. … Gjykata Kushtetuese siguron që Kushtetuta të mos mbetet vetëm në dokumente thelbësore, por të jetë autoriteti më i lartë juridik të cilit i nënshtrohen të gjitha institucionet”, deklaroi Shiroka-Pula.

Ajo ka theksuar se roli i gjykatave kushtetuese bëhet veçanërisht i rëndësishëm gjatë krizave politike, kur institucionet përballen me presione dhe vihen në sprovë parimet kushtetuese.

“Pikërisht në këto momente dëshmohet rëndësia e gjykatave të pavarura, ato garantojnë që ushtrimi i pushtetit të mbetet brenda kufijve të kushtetutës. Për Kosovën, si shtet i ri, Gjykata Kushtetuese ka një rëndësi të veçantë… Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, respektohen dhe nuk personalizohen pavarësisht efekteve të tyre politike. Përvoja tona mund të ndryshojë, por parimet që na bashkojnë janë të njëjta. Forca e një demokracie nuk matet me mungesën e kufijve të pushtetit, por me gatishmëri për të respektuar ato. Kur kushtetuta është mbi pushtetin, të drejtat e qytetarëve janë më të sigurta, kur institucionet i nënshtrohen kushtetutës, demokracia është më e fortë”, nënvizoi Shiroka-Pula.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi tha se 17 vitet e funksionimit të këtij institucioni përfaqësojnë një periudhë të rëndësishme të ndërtimit institucional, zhvillimit të jurisprudencës kushtetuese dhe konsolidimit të parimeve demokratike në vend.

Rexhepi theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë është e integruar në familjen e gjykatave kushtetuese evropiane.

“Një Kushtetutë dhe rrjedhimisht një Gjykatë Kushtetuese me gjithë paradigmat e saj historike, shpërfaq jo vetëm rend, por edhe dinjitet, drejtësi, vlerë civile dhe kulturore; pra, është shumë më shumë se një rojë e rendit juridik apo vetë demokracisë, në kuptimin më fisnik të saj… Besoj shumë se Gjykata jonë Kushtetuese tashmë ka krijuar standard të qëndrueshëm brenda këtij identiteti kushtetues, duke i njohur elementet e hershme panevropiane të së drejtës, po aq sa të demokracisë moderne liberale, një simbiozë kjo që reflekton mirë edhe traditën e të drejtës vendore të përthyer brenda konteksteve bashkëkohore të sundimit të ligjit… Ky 17-vjetor Gjykatën Kushtetuese e gjen të integruar në familjen e gjykatave kushtetuese evropiane përkatësisht në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane dhe po ashtu edhe në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese, me këtë rast shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen që i keni dhënë Gjykatës sonë që me sukses të përmbyllë një rrugëtim të gjatë integrimi e forcimi institucional”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Stephan Harbarth, ka vlerësuar rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“17-vjetori i Gjykatës Kushtetuese nuk është vetëm një arsye për të festuar. Ai na jep gjithashtu mundësinë që, me mirënjohje, të shohim prapa dhe të vlerësojmë atë që është arritur, si dhe të shikojmë drejt së ardhmes. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u themelua në vitin 2009. Që nga dita e parë e ekzistencës së saj e deri më sot, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur përgjegjësinë e madhe që lidhet me zhvillimin e vendit në aspektin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, përgjegjësi kjo që buron nga jurisprudenca kushtetuese. Përmes praktikës së saj gjyqësore, Gjykata Kushtetuese u shndërrua shpejt në një institucion kyç brenda strukturës shtetërore të Republikës së Kosovës. Në veçanti, ajo ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në krijimin e identitetit kushtetues të Kosovës… Suksesi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dëshmohet gjithashtu nga numri i lëndëve të trajtuara”, tha ai.

Sipas Harbarthit, Kosova dhe Gjermania kanë edhe tipare të përbashkëta në kushtetutat e tyre, të cilat, siç tha ai, shënuan një fillim të ri për demokracinë dhe sundimin e ligjit. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›