Merz: Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, pengesë për përparimin e gjithë rajonit

PRISHTINË, 22 tetor/ATSH/ Kancelari gjerman, Friedrich Merz u ka bërë thirrje sot Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen dhe të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, duke thënë se ngecja e dialogut mes tyre është bërë pengesë për ecjen përpara të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Ai [dialogu] tani për tani po i pengon të gjithë, prandaj bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, tha të enjten kancelari gjerman gjatë fjalimit hyrës me rastin e nisjes së punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar dialog të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023, pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë.
Merz, shteti i të cilit është “kumbari” i Procesit të Berlinit, në fjalimin e tij preku edhe protestat që po zhvillohen në rajon dhe në disa vende të BE-së. Ai vlerësoi se këto ngjarje dërgojnë një mesazh të qartë se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë dhe se qytetarët duhet të përfitojnë prej tij.
Mikpritës i liderëve të vendeve të Procesit të Berlinit është Milloçeri pranë Budvës, në bregdetin malazez.
Samiti vjetor, që mbahet më 22 tetor, shënon edhe përmbylljen e kryesimit njëvjeçar të Malit të Zi me këtë proces. /REL/