180 vjet burg për ish-krerët e UÇK/ Osmani: Çdo përpjekje për barazim me krimet e Serbisë, minon besimin në drejtësi

Teksa në Hagë mbahej seanca ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se çdo përpjekje që tenton ta barazojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”.
Osmani shkroi në Facebook se qytetarët e Kosovës duan drejtësi, por theksoi se lufta e UÇK-së “ishte e drejtë dhe e pastër”.
“Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”, shkroi ajo.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.
Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”.
Kryeprokurorja Kimberly West dha kërkesën e saj për dënim prej 180 vjetësh burg ose 45 vjet për secilin prej ish-krerëve të UÇK-së.