E Hënë, 2 Nëntor 2026

188 medalje ari ekselentëve, Rama me gjimnazistët: Jeni heronjtë pozitivë të kohës sonë!

188 medalje ari janë dorëzuar sot në prag të festave të fundvitit për nxënësit e gjimnazeve me rezultate të shkëlqyera në mësime.

Cilësuar si një simbol i suksesit akademik, kryeministri Edi Rama iu dorëzoi medaljet maturantëve duke shprehur vlerësimet maksimale për arritjet e tyre.

“Është një nder i veçantë dhe besojeni këtë, që të të jepet mundësia të kesh të mbledhur brenda 4 mureve të gjithë ajkën e ekselencës dhe të kesh fatin që t’i shohësh në sy të gjithë heronjtë e një kohe kur nuk është e lehtë të jesh hero pozitiv dhe kur hapësira e komunikimit, falë edhe rrjeteve sociale, është e mbushur me heronj negativë. Jam i bindur se ndër ju ka vajza, ka djem të cilët janë rritur në familje me halle. Jam i bindur që ndër ju ka vajza dhe ka djem që mund të kenë vetëm njërin nga prindërit në punë. Jam i bindur që ndër ju ka vajza e ka djem që i kanë marrë të gjitha 10-at duke pasur edhe një alternativë tjetër, alternativën për të gjetur pa asnjë vështirësi të gjitha justifikimet e mundshme për të mos qenë në majë dhe për të mos qëndruar në majë sepse kjo e ajo e ajo. Jam i bindur që ndër ju ka vajza e djem që mund të kenë pasur nevojë të ecin çdo mëngjes gjatë në këmbë për të shkuar në shkollë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se nuk do të jepte këshilla, megjithatë një mesazh nuk ngurroi ta përcillte

“Është thjesht inkurajim dhe mos e harroni kurrë që një ëndërr edhe këtë e përsëris gjithmonë kur bëj këto takime me ju, që e shikon me sy hapur, përderisa e shikon me sy hapur, ti mund ta arrish, por mes teje dhe asaj ëndrre është një det që ti duhet të jesh i gatshëm ta kalosh në këmbë pa u sprapsur nga dallgët.Kjo është e sigurt dhe kjo është jeta e shumë yjeve që sot ju i shihni dhe i admironi, në të gjitha fushat. Asnjë nga ata yje nuk ka shkëlqyer vetvetiu dhe nuk ka shkëlqyer sepse thjesht fati e ka dashur që të shkëlqejë, sepse fati është karakteri i njeriut”, shtoi kryeministri.

Ceremonia e ndarjes së ‘Medaljes së Artë’ është kthyer tashmë në traditë ku gjimnazistët më të spikatur vlerësohen për përkushtimin e tyre në mësime nga qeveria Shqiptare. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›