2 fëmijë të prekur me Ethet e Nilit, Kuli: Janë trajtuar me sukses. Prindërit të mos neglizhojnë shenjat

Ethet e virusit të Nilit kanë prekur edhe fëmijët këtë sezon veror. Në klinikën e pediatrisë Infektive në QSUT janë konfirmuar deri më tani dy raste ndërsa disa të tjera me shenja të njëjta presin përgjigjet nga laboratori ISHP.
Dr.Gjeorgjina Kuli në një intervistë ekskluzive për RTSH jep situatën e ecurisë së tyre.
“Momentalisht në vendin tonë kemi patur raste të meningo-encefaliteve virale. Kemi një ri emergjencë në këtë drejtim, një rishfaqje të encefaliteve nga virusi i Nilit Perëndimor që transmetohet përmes mushkonjave të cilat janë të pranishme. Kemi raste tek fëmijët. Dy janë konfirmuar por kemi edhe disa raste të tjera të cilat kanë klinikë të ngjashme por që deri më tani nuk kemi rezultatet etiologjike , por që shenjat në fakt shkojnë për një diagnozë të tillë. Pra kemi patur infeksione me prekje të sistemit nervor qendror. Ecuria e trajtimit të tyre ka qenë e mirë por kanë patur konsulta të veçanta, ndjekje të veçantë dhe dinamike në kohë “, tha Kuli.
Dr.Kuli shpjegon shenjat paraprake se si manifestohet tek një fëmijë ky infeksion viral që prek cipën e trurit.
“Manifestohet me temperaturë, dhimbje koke , të vjella. Një fëmijë që është me temperaturë, nuk është e thënë që të jetë temperaturë shumë e lartë, por nëse ai e ka 38,5 dhe është I këputur, nuk ngrihet nga shtrati, nuk duron dot dritën, ka dhimbje koke – këto janë shenjat paraprake. Më pas, më shumë janë shenjat encefalike si konvulsionet që mund të shfaqen . Fëmija zgjohet nga gjumi dhe nuk orientohet, nuk e kupton ku ndodhet kur hap sytë- këto janë më pas shenja alarmuese që duhet të adresohen me urgjencë në spital”, shpjegon mjekja.
Sipas infeksionistes është shumë e rëndësishme vlerësimi i shenjave paraprake që të mos krijohen vonesa në mjekim.
“Mirë është që në këto raste të drejtohen në QSUT për kontakt me mjekun pediatër sepse vëmë re që në spital vijnë raste të vonuara sepse fillimisht nga familjarët trajtohet si virozë“, bën thirrje Kuli.
Sipas ISHP deri më tani janë konfirmuar 62 raste me Ethet e Nilit Perëndimor në vend.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/