2 prilli, Topi: Demokracia, ende me sfida përpara
TIRANË- Kujtohet sot 20 vjetori i demonstratës antikomuniste në Shkodër, ku mbetën të vrarë 4 studentë, sot Dëshmorë të Demokracisë; Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Në këtë përvjetor, kreu i shtetit Bamir Topi përms një mesazhi i cilëson ata pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj.
20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit. Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike- thuhet në mesazhin e Topit.
Presidenti ka shprehur sot nderim e respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990.