E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjetori i FRESSH

Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar mbushi të dielën 20 vjet nga themelimi i tij me moton e “re:fressh”.

Në një fjalim të mbajtur nga një Pallat i Kongreseve i mbushur plot me të rinj entuziastë dhe diplomatë të ambasadave europiane në Tiranë, Erjon Veliaj theksoi nevojën për ndryshim, ndërsa bëri të qartë që ndryshimin e vërtetë mund ta sjellin vetëm të rinjtë.

“Sot jemi këtu për të thënë që Shqipëria bëhet. Është shumë e thjeshtë të biesh në zymtësinë që ofron pushteti aktual, por ne nuk do të bëjmë këtë. Skëndërbeu, Ismail Qemali, Pandeli Majko dhe Ilir Zela, kur themeluan këtë forum, thanë që po, do të bëhet”, deklaroi Veliaj, sekretari për rininë dhe emigracionin në Partinë Socialiste.

“Sot, ndërsa ne flasim, janë një milion të papunë të shkolluar në Shqipëri, ndërsa për ata 1% që kanë fatin të kenë të lidhur familjarët me pushtetin, punësimin, në çfarë do vendi që kanë dashur dhe duan, nuk ka qenë kurrë një problem. Dëgjojmë qeveritarët që flasin për rritje dhe progrese të papara, kur në konviktet tuaja nuk ka ujë për t’u larë. E gjitha kjo vjen sepse ata që drejtojnë, e kanë humbur tërësisht lidhjen me realitetin”, tha Veliaj.

Ndërsa bëri një mesazh për një solidaritet më të madh midis të rinjve, në këtë 20-vjetor, Veliaj foli edhe për qëllimin e vërtetë të “ri-freshit”. “Ky ri-fresh është i dimosdoshëm pikërisht për të rifreskuar idenë që Shqipëria do të bëhet. Dhe ajo do të bëhet pa plehra, referendumi i të cilit do të mbahet falë firmave tuaja. Ajo do të bëhet me një buxhet arsimi që do të shkojë në 5% dhe me një program që do të punësojë 300 mijë persona”.

Në fjalën e tij, sekretari për rininë foli edhe për diskriminimin e kryer ndaj lëvizjes prej “mediave të kontrolluara nga shteti.” “Gjatë të gjithë javës, televizionet dhe gazetat e pushtetit na kanë sulmuar dhe na kanë quajtur tradhëtarë. Tradhëtarë sepse kritikojmë vjedhjet në Rrugën e Kombit apo vrasjet në bulevard.  Megjithatë, në fjalorin tim dhe tonin, hajdutët dhe vrasësit nuk quhen patriotë”.

Pas Veliajt, fjalën e mori edhe një prej gjashtë themeluesve të parë të FRESSH, Ilir Zela, i cili kujtoi se si u themelua lëvizja dhe risolli arritjet e saj që ai cilësoi si një akademi të politikës shqiptare ndër vite.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›