E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

20-vjetori i Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Sllovenia: Sot rajoni më i qëndrueshëm, të integrohet në familjen evropiane

Në 20-vjetorin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Presidentja së Sllovenisë Nataša Pirc Musar, kryeministri i Sllovenisë Dr. Robert Golob dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovenisë Tanja Fajon, kanë theksuar se ky samit dha shpresë për stabilizimin e rajonit pas viteve me luftëra, paqëndrueshmëri politike dhe stanjacion ekonomik.

 “Sllovenia vlerëson këtë samit, pasi dha shpresë për stabilizimin e rajonit pas viteve me luftëra, paqëndrueshmëri politike dhe stanjacion ekonomik që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Mundësoi fillimin e ëndrrës për një të ardhme evropiane që çon në ndryshime pozitive: rritje të prosperitetit, integrim më të mirë dhe përforcimin e lidhjeve mes njerëzve.

 Në njëzet vitet e fundit, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë është arritur shumë. Ballkani Perëndimor në përgjithësi është më i qëndrueshëm.

 Vendet e rajonit sot gëzojnë përfitimet e regjimit pa viza si dhe rajoni që atëherë ka përparuar dukshëm në aspektin ekonomik. BE-ja deri tani është donatori dhe investitori më i madh në rajon. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor gravitojnë natyrshëm drejt njëri-tjetrit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në këtë deklaratë theksohet se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian përmes integrimit të Ballkanit Perëdnimor por edhe vetë Ukrainës.

“Megjithatë, shumë mundësi janë humbur nga të dyja palët. Entuziazmi fillestar në Ballkanin Perëndimor sa i përket reformave, si duket gjatë dy dekadave të fundit, pjesërisht është zbehur. Prandaj, drita në fund të tunelit drejt anëtarësimit në BE duket më larg nga sa shpresonim të ishte në këtë pikë.

 Në të njëjtën kohë, BE-ja po përballet me sfidat e saja dhe zgjerimi nuk është gjithmonë prioriteti i saj. Fakti që BE-ja është e detyruar të merret me pasojat e luftës në Ukrainë,  kërkon një reflektim të ri të përgjithshëm mbi qasjen ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Besojmë se është më se e qartë se procesi i zgjerimit është në thelb zgjedhje strategjike, jo vetëm detyrë teknike.

Gjithsesi, zgjerimi i mëtejshëm duhet të ndjekë vizionin themelor të procesit të integrimit evropian, i cili bazohet në solidaritetin dhe arritjet reale të kandidateve. Janë të nevojshme vendime të guximshme politike”, theksohet në deklaratë.

Ata shtojnë se Sllovenia nuk ka interesa egoiste në rajon dhe se “dëshiron atë që njerëzit duan: stabilitetin dhe sigurinë si parakusht të prosperitetit dhe përparimit ekonomik”

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›