E Diel, 1 Nëntor 2026

21 Janari, Braho: Presim ekspertizën nga SHBA të audioregjistrimit të urdhrit për të qëlluar

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho zhvilloi sot një takim me dyer të mbyllura me gazetarët.

Sipas raportimit nga mediet, Braho u pyet në lidhje me ecurinë e hetimeve për dosjen e 21 Janarit. Braho bëri të ditur se SPAK është ende në pritje të ekspertizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për audio-regjistrimin e komunikimeve në radion e Gardës së Republikës gjatë protestës së 21 janarit 2011.

“Ne kemi dërguar letërporosinë, por ende nuk kemi marrë ekspertizën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Braho.

Sa i përket fraksionit të dosjes “Gërdeci”, kreu i SPAK konfirmoi se hetimet vijojnë, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Po, është një çështje që vijon të jetë nën hetim. Hetimet po vazhdojnë dhe nuk kam diçka tjetër për të ndarë në këtë moment. Janë kryer veprime hetimore brenda Shqipërisë, si edhe përmes letërporosive të ndryshme. Çështja vazhdon të trajtohet dhe hetimet janë ende në zhvillim”, tha ai.

Braho u ndal edhe te hetimet për çështjen e Zvërnecit, duke konfirmuar se SPAK po heton një fakt penal që lidhet me tjetërsimin e pronave.

“Është nën hetim, kemi fakt penal që ka të bëjë dhe me mënyrën e sipërfaqe prone. Procesi në vazhdim, nuk kam më shumë, ka një vendim gjykate për kërkesën tonë. Se kush person është tek fakti, është pjesë e hetimit”, tha Braho.

Braho konfirmoi gjithashtu se në SPAK është depozituar një kallëzim ndaj deputetit Agron Shehaj, pasi mori pa autorizim nga ambientet e Kuvendit marrëveshjen konfidenciale të huasë me SHBA-në.

I pyetur në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, Braho theksoi se “kemi dërguar për gjykim një numër të lartë zyrtarësh të pandehur. Janë 4 ose 5 çështje që tashmë ndodhen në gjykim. Nuk e mohojmë këtë fakt. Mund të ketë pretendime të ndryshme nga kallëzuesit, por ende ekziston një fraksion i çështjes që është në fazë hetimi dhe që kërkon kryerjen e veprimeve të tjera hetimore. Zbatimi i kontratës është kompleks dhe pikërisht në këtë kuadër, janë kryer dhe po vijojnë të kryhen veprime hetimore”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›