Kontrollet në turizëm, Tatimet: Zero tolerancë ndaj evazionit fiskal

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në kuadër të Planit Sektorial të Turizmit 2026, me qëllim parandalimin e evazionit fiskal dhe rritjen e formalizimit të aktiviteteve ekonomike gjatë sezonit turistik.
Gjatë kontrolleve të Task-forcës në Durrës, strukturat e Administratës Tatimore kanë evidentuar raste të moslëshimit të faturave tatimore, mallrave pa dokumentacion fiskal, përdorimit të dokumenteve jotatimore, si dhe punonjësve të padeklaruar.
Sipas Tatimeve, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe dy njësi kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen analizës tatimore për të verifikuar dyshimet mbi fshehjen e aktivitetit ekonomik real.
Administrata Tatimore thekson se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik, duke u fokusuar në subjektet që operojnë në sektorët me fluks të lartë aktiviteti.
Në kuadër të luftës kundër informalitetit, Tatimet u bëjnë thirrje qytetarëve të raportojnë rastet e shkeljeve përmes aplikacionit “Denonco Evazionin” dhe të kërkojnë faturën tatimore për çdo shërbim apo blerje.
/e.xh/a.f/r.e/