E Enjte, 5 Nëntor 2026

“21 janari”, Basha: Të hetohet gjithçka në mënyrë të paanshme

TIRANË,16 korrik/ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha i bëri sot thirrje SPAK që të hetojë ngjarjen e 21 janarit në mënyrë të plotë dhe me transparencë.

Në një konferencë për mediet, Basha i i cili në atëkohë mbante postin e ministrit të Brendshëm mohoi të ketë përgjegjësi për 4 vrasjet e 21 janarit.

Basha tha se nuk ka dhënë urdhër Gardës për vrasjet dhe as nuk ka rol në fshirjen e serverëve të kryeministrisë.

“Kjo është konferencë për shtyp nuk është GJKKO as SPAK, të lëmë SPAK dhe GJKKO të bëjnë punën e vet”, u shpreh ai duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.

Basha tha se është i gatshëm të vendoset në dispozicion të drejtësisë.

“Të hetojë gjithçka, në mënyrë të paanshme. Ky ka qenë mesazhi im në 13 vite. Ky mbetet mesazhi im. Kam qenë dhe mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për të bërë zbardhjen e plotë dhe drejtësinë për 21 janarin”, tha ai.

I pyetur nëse po bashkëpunon me Sali Berishën, Basha tha se “në asnjë moment, jo”.

“Janë marrëzia pa një pikë të vërtete brenda që keqinformojnë debatin publik. Ndarja ime me Sali Berishën është më 9 shtator 2021, finale, e pakthyeshme. Nuk është roli im të komentoj akte që janë nën hetim penal, roli im si qytetar dhe si politikan është të vendosem 100% në dispozicion të drejtësisë për gjithçka që drejtësia kërkon, ky është standardi perëndimor kush është nuk mësuar nuk i vë faj se 34 vite këtu ka dominuar standardi lindor, le të mësohet”, shtoi ai.

Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur se pakti Berisha-Rama vazhdon dhe sot e kësaj dite, siç ishte edhe në aktin e paligjshëm për vulën e PD-së.

Ai i bëri thirrje Gjykatës së Apelit “të zbatojë ligjin, pasi kanë kaluar 30 ditë nga afati ligjor për të zbardhur vendimin skandaloz të 11 qershorit, pasi përveçse dhanë një vendim të paligjshëm, tani zvarrisin edhe zbardhjen e këtij vendimi”.

Basha gjithashtu tha se vendimi nuk zbardhet deri në fund të kësaj jave, për të vazhduan më pas me rekursin në Gjykatën e Lartë, Demokratët Euroatlantikë do t’i drejtohen KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut dhe partnerëve ndërkombëtar. /m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›