E Hënë, 2 Nëntor 2026

“21 janari”, Berisha: Garda veproi në përputhje më ligjin

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha, tha sot se në protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë, Garda ka vepruar në përputhje me ligjin.

Në një prononcim për mediet jashtë ambienteve të SPAK, ku u pyet në lidhje me thirrjen e ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Bashës për dosjen e 21 janarit, Berisha tha se zbardhja e çështjes është në interesin e tij maksimal.

Berisha deklaroi se nëse do i shkojë një fletëthirrje nga SPAK do të paraqitet, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve.

“Nuk ka pasur asnjë urdhër absolutisht nga askush dhe nuk do mund ta gjejnë kurrë se ka pasur urdhër se nuk ka pasur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, të miratuar nga mazhoranca socialiste para ardhjes sonë në pushtet”, tha Berisha.

“Nuk ka asnjë diskutim që hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Sali Berishës dhe PD-së sepse ajo ishte e qartë një axhendë, ajo ishte demonstrata më e dhunshme në historinë e vendit, me një axhendë politike, përmbysjen e pushtetit”, shtoi ai.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›