Balla: Nisim diskutimet për projektbuxhetin 2026, miratimi brenda gjysmës së parë dhjetorit

TIRANË, 3 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se objekt kryesor i punës së Kuvendit gjatë muajit nëntor do të jetë projektbuxheti 2026, i cili duhet të miratohet gjatë 15 ditëve të para të muajit dhjetor.
Në një komunikim me gazetarët nga selia e Kuvendit, Balla u shpreh se ligji për buxhetin në vetvete përcakton afatet se kur nis diskutimi i tij në parlament.
Po ashtu, sipas Ballës, edhe rregullorja e Kuvendit ka një nen të posaçëm për sa i përket gjithë procedurës.
“Menjëherë sapo mbërrin projektbuxheti, thirret Konferenca e Kryetarëve ku ministri i Financave prezanton buxhetin. Po ashtu Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin e shqyrtimit të buxhetit që ka një kalendar të posaçëm”, sqaroi Balla procedurat.
Balla solli në vëmendje eksperiencën e traditave parlamentare ku në muajin nëntor objekt kryesor i punës së Kuvendit është vetëm projektbuxheti 2026.
“Nisur edhe nga nevoja që kanë këshillat bashkiakë për të miratuar buxhetet e tyre para datës 31 dhjetor, na duhet një punë intensive prej 30-40 ditësh që ne ta mbyllim buxhetin. Janë dy votime në Kuvend, një në parim dhe tjetri nen për ne dhe në tërësi. Qëllimi është që brenda 15-ditëshit të parë të dhjetorit duhet të përmbyllet që t’i lëmë kohën edhe këshillave bashkiakë që të miratojnë buxhetin”, tha Balla. /j.p/
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, foto: Andrin Hoxha 1 nga 3