21 janari, Prokuroria: Prendi qëlloi kur u hap porta e Kryeministrisë

Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi ne gjykate
Prokuroria zbardh skemën e vrasjes së Ziver Veizit, Myrtajt e Dedës.
Dosja për 21 janarin: Demonstruesit shpartalluan derën. Prokuroria quan person civil Drejtorin e Policisë Bashkiake.
Të shtënat me armë zjarri në demonstratën e 21 janarit kanë ardhur në një moment kur gardhi mbrojtës i Gardës së Republikës ishte çarë si pasojë e goditjeve me pllaka, mjete të forta dhe bomba molotov nga ana e protestuesve. Personat që kanë qëlluar të parët me armë zjarri, kanë qenë komandanti i Gardës Ndrea Prendi dhe shefi i Shtabit të Njësisë Speciale Agim Llupo, me sa duket në një moment paniku, pasi porta Nr.1 e Kryeministrisë ishte hapur dhe kordoni i gardistëve ishte hapur si pasojë e goditjeve me mjete të forta nga demonstruesit.
Sipas akuzës disa persona nga turma u përpoqën të qetësojnë demonstruesit, mes tyre përmendet Zyhdi Dajti, drejtor i Policisë Bashkiake në atë kohë, i cili quhet person civil. Prokuroria bëri publike dje kërkesën për gjykim ndaj Ndrea Prendit, e Agim Llupos të akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, dhe Margarit Kumes, i akuzuar për pengim në zbulimin e të vërtetës. Sipas Prokurorisë, nga ekspertimi në rrobat e viktimave, është konstatuar se nuk ka pasur faktorë plotësues (barut), çka tregon se vrasja e tyre nuk është bërë nga afër. Po kështu, në kërkesën e Prokurorisë zbardhet edhe fakti se zbulimi i armëve të Ndrea Prendit dhe shoferit të tij ka ndodhur pikërisht nga prania e faktorëve plotësues në to.
Kërkesa e prokurorisë
Pasi përshkruan ngjarjen dhe vendosjen e efektivave të Gardës, Prokuroria thekson se rreth orës 14:20-14:30, komandanti i Njësisë Speciale, shtetasi Alfred Ahmetcenaj, ka urdhëruar efektivat e njësisë së tij të planizuar në atë sektor, që të kalonin në pozicionet e përcaktuara sipas planit të masave. Pas këtij momenti, sulmi i demonstruesve është shtuar dhe janë hedhur drejt efektivave të Gardës sende të forta, si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba Molotov, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë, nga ana perëndimore. Gjatë kësaj kohe, nga ana e shërbimeve në ruajtje të objektit është hedhur gaz, i cili për shkak të disa rrethanave përveçse largoi paksa turmën e protestuesve, ka ndikuar negativisht dhe në kondicionin fizik të trupave policorë të ndodhur aty, të cilët janë shpërndarë duke u larguar nga pozicionet e përcaktuara sipas planit të hartuar. Ndërkohë që një pjesë e protestuesve kishin hipur në kangjellat e murit rrethues të Kryeministrisë, por pa tentuar që të futeshin brenda objektit. Me ndërhyrjen e disa personave civilë pjesëmarrës në demonstratë, si Zyhdi Dajti etj., nga thirrjet me megafon të komandantit të Njësisë së Dytë Dashamir Shehu, thirrjet me zë të lartë nga efektivat e Gardës në terren, të cilët u kërkonin largimin nga objekti demonstruesve dhe pas kalimit të automjeteve shihedhëse, një pjesë e demonstruesve janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë për të kaluar nga ana e Piramidës. Të hipur në lartësi, ata kanë filluar të godasin me pllaka guri, pllaka trotuari, gurë e bomba Molotov, jo vetëm efektivat e Gardës që ndodheshin në sektorin verior, por edhe objektin e Kryeministrisë ku tek Porta Nr.1 nuk kishte efektiva policie, por gjithsesi ajo ishte e mbyllur dhe e padëmtuar.
Nga sulmet masive me mjete të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba Molotov etj., pjesa më e madhe e efektivave të Gardës me shërbim në sektorin verior e perëndimor të objektit, kanë pësuar dëmtime fizike, kryesisht në ekstremitete. Goditjet me mjete të forta ndaj efektivave të Gardës kanë vijuar si nga Porta Nr.1, ashtu edhe nga Piramida, ku intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u shtuar. Një pjesë e demonstruesve, duke përfituar nga fakti që forcat policore ishin larguar nga vendi i tyre i shërbimit, kanë vepruar me forcë për të hapur Portën Nr.1 dhe, pasi porta u hap duke u shqyer dryni i zinxhirit lidhës, një grup prej tyre ka tentuar të futet brenda në objekt.
Në këtë moment, komandanti i Njësisë së Dytë, Dashamir Shehu, për disa minuta rresht u ka bërë thirrje me megafon demonstruesve, duke u thënë: …qytetarë, ju po shkelni rregullat, ju po shkelni ligjet, keni hyrë në zonat e sigurisë, ndaj jush do të veprohet sipas ligjit!…. Por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të efektivave të Gardës në terren, turma e protestuesve nuk është larguar, por përkundrazi ka vijuar të qëllojë me mjete e sende të forta ndaj tyre. Ne kundërpërgjigje të këtyre veprimeve të dhunshme ka filluar hapja e zjarrit në ajër me fishekë manovre, nga një pjesë e efektivave të Njësisë së Dytë me komandant kap. Çelnik Hasa, kurse pjesa tjetër e efektivave të seksionit qëllonte me fishekë luftarakë në ajër.
Në këtë moment, grupi i Njësisë Speciale, me drejtues Sokol Sulën dhe seksioni i dytë i Njësisë së Dytë me drejtues Rexhep Qirën, të pajisur me mjetet teknike të posaçme, në zbatim të planit të masave, janë afruar nga mesi i rrugës për tek Porta Nr.1, kanë ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e personave, që kishin mundur të futeshin pak metra brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë, por pa arritur të mbyllnin Portën Nr.1. Për shkak të goditjeve që kishin pësuar nga sulmi i protestuesve me mjete të forta e shishet me lëndë djegëse, efektivat e seksionit të dytë të Njësisë së Dytë dhe ato të Njësisë Speciale, në këtë kohë nuk kanë qenë të pozicionuara në vendet e tyre të shërbimit sipas planit të masave, duke krijuar në këtë mënyrë një hapësirë boshe (korridor) midis protestuesve që ndodheshin jashtë rrethimit të objektit nga njëra anë dhe efektivave të Njësisë Speciale, pjesë e Grupit të Zjarrit, konkretisht shtetasit Agron Malaj, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe të pandehurit Agim Llupo nga ana tjetër.
Pranë kësaj zone, e cila ka rezultuar zona më e nxehtë e konfliktit, ka qenë dhe vetë i pandehuri Ndrea Prendi, me cilësinë e komandantit të Gardës së Republikës, i armatosur me armën e tij personale, pistoletën Beretta me numër P52796 Z-, me uniformë dhe skafandër në kokë, i shoqëruar nga shtetasi Ilir Duraku, i planizuar si bodyguard i tij ditën e ngjarjes, i pandehuri Margarit, si dhe shtetasi Renis Tahiri, të gjithë këta të pozicionuar natyrisht në mënyrë fikse në pjesën e sektorit ku ishin edhe efektivat e Grupit të Zjarrit. Rreth orës 16:00-16:10, nga Ndrea Prendi dhe të pandehurit Agim Llupo është qëlluar në mënyrë të njëkohshme në drejtim të protestuesve, veprim ky i cili është pasuar dhe nga qitje të tjera të realizuara nga efektivat e Grupit te Zjarrit, si Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela, si dhe shtetasit Ilir Duraku e Renis Tahiri. Si pasojë e këtyre qitjeve kanë humbur jetën shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe kishin pësuar dëmtime të ndryshme të shkaktuara me armë zjarri 7 shtetas të quajtur Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa, si dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak është dërguar për kurim të mëtejshëm ne Turqi, ku dhe ka vdekur pas disa ditësh.
Kasaj fshiu pamjet e kamerës që pa vrasjet