21 urdhër-arreste për grupin kriminal, SPAK: 20 janë ekzekutuar, lënda narkotike vinte nga Turqia e Siria

Njëzet e një urdhër-arreste janë lëshuar këtë të martë ndaj anëtarëve të një grupi kriminal të akuzuar për trafik lëndësh narkotike, njëzet prej të cilave janë ekzekutuar.
Në një konferencë për media, Prokurori i SPAK, Vladimir Mara ka dhënë detaje mbi aksionin e policisë shqiptare me atë italiane, ku ka bërë me dije se krahas hetimit penal është bërë dhe hetim pasuror ndaj të gjithë pjesëtarëve të grupit kriminal, të cilët trafikonin lëndë narkotike nga Turqia e Siria, për t’u transportuar më pas në vendet e BE-së.
“Në hetim janë të përfshirë prokuroria e Firences, Eurojust, policia shqiptare dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit.
Pas kërkesës tonë janë vendosur 21 masa sigurimi personal nga të cilat 20 janë ekzekutuar ndërsa 1 person është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ajo çfarë është më e rëndësishmja, të gjitha sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kryer në territorin e Shqipërisë dhe sekuestrimi ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, Greqi e Milano, raste të ndjekura nga ana jonë.
Krahas hetimit penal kemi bërë dhe hetim pasuror për gjithë pjesëtarët e grupit kriminal.
Sikurse e thamë, kemi përgatitur një video të operacionit, dhe hetimit, kemi sekuestruar lëndë narkotike në Durrës, 30 kg lëndë narkotike, 16 kg heroinë, 15 kg kokainë; 32 kg lëndë narkotike në Greqi; 68 kg lëndë narkotike në Maqedoninë e Veriut; 21 kg kokainë në Milano.
Në Durrës lënda narkotike ishte hashash i përpunuar dhe i presuar me origjinë nga Siria; heroina trafikohej nga Turqia në Shqipëri; kokaina nga vendet e origjinës në Shqipëri me destinacion vendet e BE.
Kemi dy episode trafikimi të kanabisit, një sekuestrimi në Maqedoni dhe një tjetër në Greqi”, tha Mara.