E Shtunë, 31 Tetor 2026

21

brizida_gjikondiNga Brizida Gjikondi

E pra që çudia nuk zgjat 3 ditë, çuditë dhe të papriturat e perëndisë po, edhe mund të zgjasin imoralitetet e thella jo, ato të shpifin të lënë një shije të hidhur pabesie, shije që nuk të ikën kurrë. 21 janar, 21 prill, ah, sidomos 21 prill, një ndër ditët më kobzeza të tokës time, dita që politika e pisët shqiptare futi duart e shtrigës në Kushtetutën e vendit, duke e shndërruar atë në një paçavure, në një leckë të pavlerë, në një mjerane që të vjen turp tashmë ti referohesh, të vjen turp kur dëgjon që i referohen. Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i SHIK-ut, gjyqtarët elitarë, Kryetari i Akademisë së Shkencave, të gjithë këto trarëmbajtës të një shteti dhe vlerave të një kombi, tashmë janë barkas shtrihu përballë politikës antishqiptare në fuqi. Pikërisht vullneti i Berishës dhe Ramës bënë që këto institucione jetike në 21 prill 2008 të zhburrëroheshin, mos të përzgjidheshin më nga një shumicë e cilësuar parlamentare (detyrimisht bashkë PS- PD), por të zgjidheshin nga një grusht prej 71 deputetësh të blerë dhe të pablerë, por mjaftueshëm skllevër të bindur të Skllavopronarit. Sarkazëm e gjallë kur Rama shqetësohet për shtetin e kapur, ai që pikërisht ia dha në tavë njeriut më të panginjur të pushteteve, Sali Berishës çdo pushtet që as në ëndërr Berisha nuk i shihte dot si të tijat. Sarkazëm dhe trishtim ekstrem, tashmë çdo pushtet është i kapur nga Saliu, sepse Rama i bëri hesapet pa hanxhinë, priste radhën e vet, që ti kapte ai, pa pyetur për miletin e rraskapitur shqiptar që pikërisht kjo dhunë e ky diktat e bënë të dilte si kuçedra nga kafazi në vitet 90-të.

Si shumë shqiptarë që kërthizën e kanë lidhur në këtë vend, shoh me maraz këtë skenar hipokrit që luhet tashmë, dhe ndjehem e mpakur, e hutuar e pashpresë, aleancat imorale, pretekstet dështake, aksionet politike që ndërmerr PS për pazaret e prishura dhe të pista mes PD e LSI më shtojnë neverinë. Betejat duan moral, kur ato humbasin moralin dhe shpirtin e tyre ato sjanë më beteja janë Pazar i gjësë së gjallë, pazar që nuk kanë më fytyrën e Islamit, Dogjanit, Idrizit etj, por kanë fytyrën e Ramës. E paperceptueshme stuhia ne gotë dhe përdorimi i dy juristëve të mirë të KQZ-së në funksion të mbarsjes së situatës së një vendi që Berisha ia ka vënë shkelmin në fyt prej 8 vjetësh, 4 prej të cilave egërsisht me ortakut aktual të PS, e paperceptueshme teatri përpara shtëpisë së Hamza Kastriot Islamit, ish- këshilltarit personal të Ramës, i përjashtuar me ceremoni prej kohësh, po Dogjanit, Idrizit etj, etj, pse nuk ju bëhet e njëjta gjë pse me 5 standarde?! Përgjigjet dihen, arsyet po ashtu. Po ju zoti Rama kush do ju vijë poshtë ballkonit për  këtë pabesi ekstreme që i bëtë sërish popullit të majtë me aleancën më korruptive të mundshme? Çprijës mund të jesh zotrote, çdo na molloisësh kundër Berishës, çmodel mund të ofrosh për ardhmërinë shqiptare, çvlera?!!

Prej 20 vitesh që Berishës ia kam prerë kostumin me votën time sistematike, sidomos këtë 100 vjetor ankthi dhe hakmarrja civile bënin që 23 qershorin ta prisja me padurim, injorimi i lig ndaj babait te kombit Ismail Qemalit, dhe cdo dinjitozi rilindas të vërtetë të vendit tim, kapja korruptive deri në palcë e çdo vlere material dhe morale, shitja dhe dinjiteti kombëtar inekzistent bënin që si 20 vjet më parë mendimi im ndaj Berishës të jetë konsekuent vota po ashtu, por përballë unë kam një JO KONSEGUENT par exellencë, unë Ju kam Ju zoti Rama, ju pabesia dhe trishtimi më i madh, Ju nuk keni moral të më tërhiqni në betejën tuaj, pasi Ju nuk keni më betejë, tashmë që ka kaluar 21 Prilli dhe 21 Janari, unë kuptoj pse ndryshuat dhe shpërbëtë Ju Kushtetutën dhe pse nuk ishit krah meje në Bulevard.

Rregullat e gazetarisë thonë që artikujt nuk duhet të kenë për titull një numër, por patjetër sdo e kenë pasur për 21shin ndërsa Migjeni thosh për gjelat hipokritë:

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita

- Gjel, rren a s’rren cila asht fjala jote

Kur ti këndon thonë se asht afer drita…

Por un s’besoj sonte në Çalët e ksaj bote.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›