22 vjeçarja, gjendet e lidhur në një fabrikë

Pesë ditë është mbajtur e kidnapuar një vajza nga Gjakova në një depo të ish fabrikës “Metaliku” që ndodhet në rr.”Skënderbeu” në Gjakovë.
Policia e Kosovës rreth orës 23:45 të natës së 15 Majit e kanë gjetur vajzën të ulur me një kënd, ku kishte te lidhura duart dhe këmbët me një shirit izolues.
Fillimisht prindi i vajzës më datë 11.05.2013 ka raportuar në Polici se i është zhdukur vajza në drejtim të panjohur.
“Familja kishte tentuar ta kontaktonte përmes telefonit që ajo posedonte por ishte e pa mundshme sepse nuk kishte qasje në rrjet. Ky ankues policisë i ka dhënë te gjitha detajet dhe përshkrimin e viktimës”, ka njoftuar zyra për marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kovës për rajonin e Pejës.
Lidhur me këtë rast, policia thotë se ka bërë angazhim intensiv në Gjakovë në bashkëpunim me të gjitha njësitet tjera. Ndërkohë që persona të panjohur përmes një thirrje telefonike kishin njoftuar prindin, se vajzës e tij ndodhet në një depo të ish fabrikës “Metaliku” , ndërsa prindi menjëherë ka njoftuar policinë.
Policia, dyshimet e para i ka hedhur të telefonuesit e prindit, ndërkohë lidhur me rast është njoftuar edhe Prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet si rast Rrëmbimi dhe të zhvillohen hetimet e menjëhershme për të identifikuar personin apo personat e mundshëm të dyshuar. /Indeksonline/