E Diel, 1 Nëntor 2026

23-vjeçarja: Si shisja drogë për të shpëtuar nënën nga sëmundja

TIRANE - Ishte vetëm 17 vjeç kur mori vesh se nëna e saj ishte e sëmurë me kancer. E mbërthyer nga “kthetrat” e varfërisë, vendos të kërkojë punë për të përballuar sado pak shpenzimet për kurimin e njeriut më të shtrenjtë për të. Sonin e takojmë në qendrën Metadon ku është duke marrë trajtimin për drogën, ndërsa na rrëfen dhe historinë e saj të dhimshme.
Realiteti i hidhur e përplasi për katër herë radhazi me pronarë biznesesh të etur për të bërë pronë të vetën edhe vajzën e mitur.
Sëmundja e nënës
E edukuar me frymën se një femër nuk mund të shesë trupin e vet, në çfarëdo vështirësie që të ndodhet, Soni D. vendos të merret me shitjen e drogës, duke e parë si të vetmen alternativë që mund të nxirrte familjen e saj nga hendeku ku ishte fundosur. Dëshira e madhe që kishte për të shëruar nënën e saj kalonte çdo kufi të veprimeve, sado të rrezikshme që të ishin ato. E kishte menduar edhe burgun por nuk u frenua në asnjë çast, vetëm për të shpëtuar nënën e sëmurë.
“Arrita të shisja drogë, për dy vjet rresht. Atëherë u transformova. Nga një vajzë me një trup shumë të bukur që mund të vishej bukur e të ekspozohej, fillova të vishesha si çun sepse duke marrë parasysh punën që po bëja të mos i lija asnjë njeriu përshtypjen se unë isha një vajzë e lehtë për t’u përdorur”, - rrëfen 23-vjeçarja duke ndezur një cigare.
“Mami vdiq më 5 tetor, unë jam arrestuar në 15 tetor, vetëm 10 ditë pas vdekjes së saj. U dënova 7 vjet e gjysmë, ndërkohë që kisha 1 muaj që isha shkëputur nga shitja e drogës dhe ditën që më kanë kapur rastisa në kohën e gabuar, në vendin e gabuar”, - rrëfen Soni.

(shkrimin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›