232 raste të reja me tuberkuloz – Mjekët: Më i përhapur te të rinjtë, veçanërisht në lokale e burgje

Tuberkulozi deri në 2030 duhet të zhduket krejtësisht nga harta e sëmundjeve infektive sipas objektivave të OBSH, por Shqipëria regjistroi sërish gjatë vitit të shkuar raste të reja.
“Kemi 232 raste të reja të regjistruara gjatë 2024-ës me tuberkuloz. Tendenca është në rënie të lehtë por raste do ketë. Ndonëse kemi një objektiv për ti dhënë fund tuberkulozit deri në vitin 2030, lufta me këtë sëmundje do të vazhdojë”, u shpreh Irma Tashi, pneumologe, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Infektimet po prekin edhe mosha të reja për shkak të qëndrimit në lokale ndërsa ambientet ku po qarkullon më së shëmti bakteri I tuberkulozit janë ato kolektive si burgjet dhe spitalet e burgjeve.
“Më së shumti janë emigrantët ata që po I identifikojmë me këtë sëmundje për shkak edhe të ambienteve kolektive ku ata jetojnë. Po kështu virusi qarkullon edhe në ambiente të tjera kolektive si burgjet dhe spitalet e burgjeve. Vlen për t’u theksuar se tuberkulozi po prek edhe shumë të rinjtë dhe kjo po vjen për shkak të qëndrimit të tyre nëpër lokale ku edhe ky virus përhapet më lehtë. Qytete më të prekura janë Tirana, Shkodra dhe Dibra”, tha pneumologia Tashi.
Pneumologët e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” thonë se sëmundja përhapet përmes spërklave në ajër ndaj kujdes nëse shfaqen këto shenja.
“Nëse keni një kollë që zgjat 3 deri në 4 javë, një temperaturë subfebrile që zgjat deri në dy jave, djersitje të shumtë gjatë orëve të natës si dhe rënie në peshë, atëherë këto janë simptoma të cilat duhet të merren në konsideratë nga gjithsecili prej nesh dhe duhet që të paktën të kontaktojë mjekun pneumolog dhe të bëjë dy analiza bazë: një analizë të sputumit dhe një grafi të mushkërive”, u shpreh Tashi.
Kjo sëmundje ka prekur edhe fëmijët për shkak të prindërve të infektuar ndaj në shkolla ka nisur edhe një depsitim për t’i identifikuar ata. Vdekshmëria nga tuberkulozi ka rënë shumë. Nëse ndiqet ajo është plotësisht e trajtueshme.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/