Koncert recital me muzikë klasike, Radovani dhe Spahiu sjellin repertorin e pasur në Teatrin “Migjeni”

Fillim java solli tingujt e muzikës klasike në skenën e Teatrit “Migjeni” në një recital që bëri bashkë violinistin e mirënjohur Lorenc Radovani dhe pianisten virtuoze Fatma Spahiu. Koncerti Recital dhuroi një përzgjedhje të veçantë veprash nga repertori ndërkombëtar dhe ai shqiptar.
Me një emocion të veçantë e përjetuan këtë mbrëmje dy protagonistët e skenës, prej së cilës morën energjinë pozitive që dhuroi publiku me duartrokitjet e tij.
“Dua të shpreh ndjesinë time personale që më shumë emocion në këtë skenë nuk kam ndeshur”, u shpreh violinisti Lorenc Radovani.
“Emocionet si gjithmonë në skenë janë shumë të mëdha por sot ndjeva një emocion shumë të veçantë në Shkodër”, u shpreh pianistja Fatma Spahiu.
Mes veprave të interpretuara nga dy instrumentistët, spikati premiera “Ephistoricu” e kompozitorit Artan Liçaj.
“Në qendër është figura e Skënderbeut dhe është shkruar për një përvjetor “, u shpreh kompozitori Artan Liçaj.
Ky koncert shënon jo vetëm një ngjarje kulturore, por edhe një rikthim të muzikës klasike në hapësirën skenike të Teatrit “Migjeni”. Recitali i dy artistëve Radovani-Spahiu do të vijojë rrugëtimin edhe në kryeqytet.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/